Tekniku i “Demave të Kuq”, Dritan Mehmeti ka folur për mikrofonat e Supersport duke analizuar imtasi ndeshjen. Gjithashtu ai preku edhe rastin e golit të anuluar nga gjyqtari, duke e quajtur të drejtë vendimin.
Mehmeti u shfaq i kënaqur me lojën e djemve të tij, por ai thekson se shpërdoruan raste në aksionet sulmuese.
“Të tilla ndeshje sjellin mungesë qetësie në aspektin psikologjik dhe lojtarët nuk e interpretojnë si duhet. Nuk jam dakord që mund të ishte 0-1, pasi ne kemi pasur disa situata ku mund të kishim shënuar. Duhet të jemi më konkretë, por presioni bën të vetën…
Në pjesën e parë u munduam të ishim në ekuilibër, por nuk arritëm të shkonim si duhet në sulm. Në pjesën e dytë bëmë më mirë me ndryshimet, por nuk zgjidhëm si duhet situatat që krijuam.
Skuadra ndryshoi shpesh mënyrën e lojës dhe alternimet e pozicioneve, por jam i pakënaqur me mënyrën si i zgjidhim situatat në metrat e fundit.
Ndaj Vllaznisë nuk po na ecën dhe mendoj se është çështje fati. Megjithatë sot ndikoi presioni te të dy skuadrat…
Sa i përket golit, unë mendoj se Aralica ka bërë faull ndaj mesfushorit Matondo dhe vendimi për anulim ishte i drejtë”, tha Mehmeti.