Mehmeti: Europën e kemi në dorë, në derbi na u mohuan dy penallti

schedule12:27 - 20 Maj, 2022

schedule 12:27 - 20 Maj, 2022

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, para ndeshjes me Kastriotin ka dalë para mediave dhe ka deklaruar: “Skuadrat kundërshtare kanë filozofi të ndryshme dhe do të na duhet që ndaj Kastriotit të zgjidhim një mënyrë tjetër loje. Kastrioti është një skuadër që interpreton shumë mirë fazën difensive dhe do kemi më shumë vështirësi të shkojmë te porta e kundërshtarit. Jam fokusuar te skuadra ime, gjatë gjithë kampionatit jemi munduar që të shohim vetëm rivalin e radhës”, tha fillimisht Mehmeti.

“Europa? Çdo gjë është në dorën tonë, nesër nëse arrijmë të dalim fitimtar e kemi arritur objektivin minimal që ka pasur klubi. Në momentin që kam marrë në drejtim skuadrën në muajin janar, biseda ka qenë shumë normale dhe profesionale me presidentin dhe drejtorin. Analizuam gjendjen e skuadrës që ishte në dy fazat e para dhe i gjithë objektivi ishte që ekipi të ndryshonte mentalitetin.

Kemi qenë tre pikë nga skuadrat që rrezikonin rënien. Ka qenë një moment delikat sepse nëse nuk arrije pikët mund të kaloje në ngërç psikologjik dhe të merrte rrjedhë ndryshe rruga e Partizanit. Është pozitive që jemi pranë objektivit minimal që ka klubi sepse është një skuadër që shpenzon shumë për një objektiv që skuadra ka si titulli kampion, por futbolli është i paparashikueshëm.”

“Herald Marku? Çdo gjë lojtarët e kanë në dorë për tu bërë pjesë e formacionit ose jo. Herald Marku ka bërë diferencën sezonin e kaluar me Vllazninë, por nuk është se ishte në ritmin e duhur në stërvitje. Nëse një lojtar nuk më jep sinjalet e duhura apo në momentin që unë e fus në formacion dhe ai nuk paraqitet ashtu siç e meriton kjo fanellë, normalisht që ai do të marrë atë që meriton. Marku po paraqitet mirë tani dhe e meriton formacionin, për mua janë të gjithë lojtarët njësoj. Konkurrenca rrit edhe cilësinë”.

“Cara duhet të rritet shumë sepse është një djalë i ri dhe që të arrish të bësh diferencën nuk mund të bësh dy ndeshje shumë të mira dhe një ndeshje të shkosh te 20% i formës tënde, kjo tregon se ende nuk është rritur në aspektin e karakterit sportiv.”

“Arbitrat? Më shumë merrem me pjesën teknike, me dy penalltitë e padhëna. Janë ndeshje shumë të rëndësishme sepse janë katër skuadra që luftojnë për dy vende. Në ndeshjet ndaj Kukësit dhe derbit ndaj Tiranës, arbitrat duhet të bënin pak më shumë.

Në Kukës jemi ndëshkuar me gjashtë kartonë të verdhë dhe dy të kuq, ne jemi skuadër Fair-Play. Sipas moviolës që janë bërë, pas derbit na janë mohuar dy penallti që ndikojnë në rezultat, ky është futbolli dhe shpresoj që gabimet të jenë njerëzore”, u shpreh Mehmeti. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!