E nisi nga shumë poshtë, por tashmë thuajse e ka prekur lavdinë. Anis Mehmeti mund të jetë një tjetër shqiptar që të luajë në Premier Ligën angleze, siç Armando Broja apo dikur Lorik Cana.
Lojtari ofensiv I krahut do të ketë sonte në orën 21:00 ndeshjen e parë gjysmëfinale të plej ofit për t’u ngjitur në elitë, ndërsa në stadiumin e Bristol Sitit vjen Shefild Junajtidi.
Një kundërshtar tepër I fortë, që gjatë sezonit të rregullt në Championship doli në vend të tretë me 90 pikë, jo si skuadra e Mehmetit që ishte e gjashta me vetëm 68.
Sidoqoftë, gjithçka anulohet dhe do të jenë dy ndeshje që do të vendosin.
Futbollisti 24-vjeçar kuqezi është një nga shpresat kryesore të Bristol Sitit, edhe për faktin e thjeshtë se përfaqëson shënuesin më të mirë këtë edicion, me 12 gola.
Kjo, edhe pse minutazhi I tij nuk ka qenë gjithnjë maksimal.
Në shtatë sfidat e fundit të kampionatit ishte vetëm një herë titullar, një herë në stol, ndërsa ka luajtur gjithsej 209 minuta, që do të thotë 30 minuta për çdo duel.
Për më tepër, rrjetën e fundit e ka shënuar në portën e Hall Sitit që në 8 mars.
Gjithsesi, Mehmeti përfaqëson një element të rëndësishëm për Bristol Sitin dhe trajneri Maning padyshim që ka shpresë dhe besim tek ai.
Shpresohet për një rezultat pozitiv sonte, që në 12 maj në Shefild të mund të arrihet kualifikimi për në finalen e plej ofit për në Premier Ligë.

