Mehmeti: Arritëm objektivin minimal. E ardhmja? I përket klubit

schedule19:54 - 21 Maj, 2022

schedule 19:54 - 21 Maj, 2022

Partizani mposhti me “poker” Kastriotin në takimin e parafundit të kampionatit shqiptar.

Pas takimit trajneri Dritan Mehmeti ka theksuar se arritja në Europë është objektivi minimal i klubit, pasi presidenti Gaz Demi ka investuar shumë te skuadra.

Nga ana tjetër, Mehmeti shtoi se përsa i përket rinovimit të tij, ajo i përket klubit.

Garantimi i një vendi në Europë? “Është bërë një punë e madhe, dua të falenderoj djemtë të cilët kanë qenë profesionistë dhe do të ishte mrekulli të ishim edhe në finale të Kupës, na dhemb shumë ajo ndeshje. Për mendimin tim është një sukses, edhe pse minimal për Partizanin se presidenti investon miliona për të dalë kampion dhe ky është objektiv minimal, por si erdhi situata në pjesën e parë të sezonit nuk është keq.

Është pak e vështirë ta motivosh skuadrën kur del jashtë objektivave. Mendoj që kjo i takon klubit por trajneri është pjesa kryesore dhe së bashku me klubin duhet të bëhet një analizë e thellë dhe të nxirren mësime nga kampionati me shumë peripeci që kemi kaluar dhe më pas të vëmë “pikat mbi I” me problemet që solli ky kampionat dhe më pas të ndërtojmë skuadrën”.

Nëse do të ishit presidenti Demi, do ta konfirmonit trajnerin Mehmeti? “Është një pyetje e vështirë, por Gazin vetëm dua ta falenderoj për mundësinë dhe besimin”, u shpreh Mehmeti. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!