Mehaj në malet e Kukësit: Në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona, bashkë më të fortë

schedule19:57 - 10 Gusht, 2021

schedule 19:57 - 10 Gusht, 2021

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ndodhet sot në zonën e Kukësit ku ka parë nga afër operacionin për shuarjen e flakëve në malet mbi tunelin e Kalimashit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mehaj shpreh dhimbjen për situatën, ndërsa thekson se beteja me zjarret po vijon si një trup i vetëm me forcat e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Sot për të parë nga afër zhvillimin e operacionit në shuarjen e zjarrit në malin Shën Mëri, vizitova pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së dhe pjesëtarët e kontingjentit të zjarrfikësve nga Agjencia e menaxhimit të Emergjencave.

Dhembjen për dëmet e shkaktuara nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët tanë- heronj të vërtetë që me guxim, shpirt ekipi dhe shërbim vetëmohues nderojnë emblemën tonë, Kombin dhe Atdheun.

Si një trup i vetëm bashkë me vëllezërit dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund.

Së bashku më të fortë, në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona!,” shkruan Mehaj.

Ndërkohë, mbrëmë mbërriti me urgjencë në tunelin e Kalimashit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pasi zjarri mori përmasa të mëdha. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!