Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj thotë se janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit rreth Ukrainës e për çka ka kërkuar nga NATO-ja për vëmendje të shtuar për të pamundësuar ndikimin dhe influencën e qarqeve ruso-serbe në rajon.
“Ministria e Mbrojtjes përcjellë me vëmendje maksimale zhvillimet e fundit dhe veprimet aktuale të Rusisë kundër Ukrainës, vendeve të krahut lindor të NATO-s, si dhe aktivitetet hibride që Rusia zhvillon në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aktivitetet e luftës hibride, në rajonin tonë, Rusia përmes Serbisë, i realizon në vazhdimësi me luftën politike me metoda jokonvencionale destabilizuese të ndërthurura me aktivitete asimetrike siç janë sulmet kibernetike dhe ato përmes lajmeve të rreme (fake neës). Prandaj, kërkojmë vëmendje të shtuar të autoriteteve politike dhe ushtarake të NATO-s përmes Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) në rajonin tonë, për të pamundësuar kështu ndikimin dhe influencën e qarqeve destabilizuese ruso –serbe të mbështetura edhe nga qarqet kineze në rajon”, ka shkruar Mehaj.
Tutje ai ka shkruar se “Zhvillimet e shpeshta në kufirin Kosovë – Serbi dhe provokimet nga ushtria serbe, i vlerësojmë kërcënim shumë serioz dhe duhet të adresohen fuqishëm politikisht nga Bashkimi Evropian dhe me veprime e qëndrime konkrete nga NATO , respektivisht Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) përmes operacionit KFOR në Kosovë. Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë NATO-s të udhëhequra nga SHBA, në interes të mbrojtjes së vlerave euroatlantike dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global”./Express