Së shpejti, Meghan Markle do të përdorë zërin e saj për të dubluar dokumentarin e parë nga Disney, të titulluar “Elephants.” Kjo është puna e parë e Meghan që kur ajo dhe Princ Harry njoftuan se do të largohen nga jeta mbretërore dhe se do të jetojnë mes Amerikës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Para se të martohej me Harry-n, Meghan ishte një aktore e suksesshme, por iu desh të hiqte dorë prej karrierës për t’iu bashkuar familjes mbretërore. Skema për t’u punësuar në “Elephants” bluhej prej kohësh ama: Korrikun e kaluar, Harry i tha CEO-s së Disney, Bob Iger, se Meghan do të bënte një punë të shkëlqyer me ta.
Propozimi i tij ia vlejti, mesa duket. Sipas The Cut, dokumentari ndjek jetën e një elefanti afrikan dhe të voglit të tij teksa emigrojnë bashkë me tufën përmes shkretëtirës Kalahari në Botsvanë.
Kjo mund të jetë puna e parë e kësaj natyre për Meghan, por jo e fundit. Në janar, kur çifti njoftoi se do të largoheshin nga familja mbretërore, shpjeguan se do të punonin për të qenë të pavarur financiarisht. Dhe Meghan s’ka kohë për të humbur: Që prej 1 prillit, çifti s’ka asnjë farë detyrimi ndaj mbretërisë dhe “Elephants” e ka premierën më 3 prill, në Disney Plus./abcnews.al