Megaoperacioni kombëtar antidrogë/ Policia: Në 8 muaj, sekuestrohen 800 kg kanabis. Mbi 1500 të arrestuar dhe proceduar

schedule12:02 - 14 Shtator, 2023

schedule 12:02 - 14 Shtator, 2023

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për shtyp theksoi se si rezultat i hetimeve dhe goditjes së grupeve kriminale në fushën e narkotikëve janë sekuestruar 800 kilogramë kanabis në tetë muaj ndërsa janë vënë në pranga dhe proceduar qindra persona.

“Këtë 8-mujor janë sekuestruar 829 kg kanabis, një pjesë e saj e përpunuar në formë çokollate, 61.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi. Gjatë 8-mujorit të këtij viti, nga strukturat vendore të Policisë janë referuar 170 hetime proaktive për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, nga të cilat, në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë respektive, janë finalizuar 38.

Gjithashtu, në kuadër të vlerësimit të informacioneve të siguruara nga strukturat operacionale të Policisë (Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”), janë finalizuar në kushtet e flagrancës, 116 operacione, me përfshirjen e 2 ose 3 shtetasve, si shpërndarës. Për këto hetime dhe goditje, janë arrestuar, ndaluar ose proceduar në gjendje të lirë 1541 shtetas, për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në lokale nate, bare, blloqe banimi dhe në zonat bregdetare, gjatë sezonit turistik.

Krahas sasive të mëdha të drogave të forta apo të kanabisit, gjatë operacioneve janë sekuestruar mijëra doza kokaine, heroine, ekstazi, metadon, opium, fara kanabisi dhe sasi të lëndëve të tjera narkotike sintetike.“, theksoi ai.

Operacioni antidrogë u zhvillua në të njëjtën kohë në të gjithë territorin e vendit duke shkatërruar 23 grupe kriminale në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan e Vlorë. Sipas asaj që deklaroi drejtori i policisë, janë dhënë 296 masa sigurie në të gjithë vendin dhe janë kontrolluar 356 ambiente.

214 masa janë ekzekutuar ndërsa 82 janë shpallur në kërkim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!