Mediu: Zgjedhjet e 25 prillit do ta kthejnë Shqipërinë në rrugën Europiane

schedule10:01 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 10:01 - 21 Dhjetor, 2020

Kryetari i PR në takimin e tij me strukturat e Njësisë nr 1, deklaroj se zgjedhjet e 25 Prill kanë një rëndësi kombëtare për të kthyer Shqipërinë në rrugën Europiane dhe për të larguar regjimin uzurpator dhe të korruptuar të Ramës.

“Kancelarja Merkel, Parlamenti Europian, të gjithë institucionet europiane, thanë që nuk do t`a organizojnë Konferencën për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Është e shtata herë. Edi Rama në vend që të reflektojë dhe të kuptojë se cilat janë kërkesat e Bashkimit Europian, e drejton gishtin karshi Bashkimit Europian, dhe jo vetëm kaq, kërkon të gjejë përgjegjësi brenda Bashkimit Europian dhe për më tepër përpiqet t`i mësojë ata se cilat janë vlerat e vërteta, të një njeriu i cili ka shkatërruar çdo vlerë demokratike, institucionale në Shqipëri. 

Pra, e gjithë struktura që ka ndërtuar Edi Rama, është një strukturë e cila ka uzurpuar liritë dhe të drejtat tona, dhe po kthehet në një strukturë dhune, dhe këtë dhunë e ka filluar që në vitin 2013 me manipulimin e zgjedhjeve, në 2017 me infiltrimin e grupeve kriminale, me blerjen e votës, me intimidimin e votuesve, duke vazhduar me ndryshimet e Kushtetutës dhe me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. 

Edi Rama ka vetëm një qëllim, të kontrollojë pushtet dhe ekonomi, dhe kur në duart e një njeriu apo të një grupi politik, janë të gjitha institucionet, të gjitha pushtetet, është dhe ekonomia, atëherë nuk jemi as më shumë e as më pak sesa në një tirani, që nuk ndryshon shumë nga diktatura që kemi kaluar. Është një tirani e cila gradualisht fillon dhe shkatërron çdo premisë dhe çdo mundësi për të ndërtuar të ardhmen tonë” ,ka thënë Mediu.

Ndër të tjera ai ka theksuar se Rama shkatërroi ekonominë shqiptare, shkatërroi institucionet shqiptare, ka shkatërruar pushtetin gjyqësor, shkatërroi Parlamentin, i cili është një Parlament që loz tragjedi mbi kurrizin e shqiptarëve, një Parlament qesharak.

Gjithashtu Mediu ka deklaruar se nuk ka Gjykatë Kushtetuese, dhe kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese, aferat korruptive të kryeministrit, të qeverisë, të Parlamentit, të institucioneve qëndrore dhe lokale, nuk mund t`i ndalojë askush./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!