Mediu zbulon negociatat me Bashën e Berishën, Dule: Koalicion s’ka, s’jemi thirrur që para 25 Prillit

schedule21:35 - 27 Janar, 2022

schedule 21:35 - 27 Janar, 2022

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka zbuluar se pak ditë më parë janë takuar me dy polet e ndryshme që janë krijuar brenda Partisë Demokratike. Konkretisht në radhët e mbështetësve të Bashës, aleatët kanë pasur një takim me kreun e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë në kampin tjetër janë pritur nga vetë Berisha por edhe nga Oerd Bylykbashi.

“Alibeaj është marrë me negociatat. Më ka takuar edhe mua edhe zotin Duka. E kemi thënë në takim që nuk është normale të ndahet PD sepse kjo është një kosto mbi Shkodrën dhe në zgjedhjet e ardhshme. Në palën tjetër jemi takuar edhe me zotin Berisha edhe me zotin Bylykbashi. Bindja ime politike ka qenë gjithmonë për një kandidat të përbashkët. Sidomos para një regjimi të tillë”, tha Mediu.

Ndërsa kreu i PBDNJ Vangjel Dule tha se nëse janë me Berishën apo Bashën kjo nuk është zgjedhje që u takon atyre por demokratëve. Nga ana tjetër ai hodhi poshtë mundësinë për të krijuar koalicion duke nënvizuar se nuk ka pasur asnjë takim me aleatët në këtë nivel që para zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Nuk është çështja se me kë jemi. Aktualisht po përpiqemi që të ushtrojmë opozitë në këto kushte që janë tejet të ndërlikuara aq sa na dëgjohet zëri. Situatat janë shumë të vështira. Është fatkeqësi që një vend të ketë një qeveri të paaftë dhe aq më keq kur opozita është në këto kushte.

Me Bashën apo Berishën? Kjo është çështje e Partisë Demokratike. Kandidaturat e grupimit të Berishës apo Bashës në plotësim të misionit të opozitës, po. Kjo është çështje që lidhet me objektivin. Ku ka pasur koalicion dhe bashkëpunim?! E kam thënë në këtë studio që një muaj e gjysmë para zgjedhjeve që nuk ka pasur asnjë kontakt në nivel koalicioni. Pasi zgjedhjeve nuk ka pasur”, deklaroi Dule. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!