Mediu takim me të rinjtë dhe gratë në Tiranë: Më 25 prill dilni dhe votoni pavarësisht bindjes politike

schedule08:41 - 15 Prill, 2021

schedule 08:41 - 15 Prill, 2021

Kryetari i Partisë republikane njëkohësisht kandidati 7 i “Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu mëngjesin e sotëm e ka nisur me një takim me të rinj dhe gra të qytetit të Tiranës.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, pyetjes se sa e vështirë është për të rinjtë që të angazhohen në politikë, Mediu është përgjigjur se nëse je i drejtë dhe ke vullnet mund të ecësh para në politike.

Ndër të tjera ai ka bërë thirrje qytetarëve që pavarësisht bindjes politike është shumë e rëndësishme që me 25 prill të shkojnë dhe të votojnë.

“Në jetë çdo gjë është e vështirë, nuk është e lehtë, sidomos sfidat e mëdha janë të vështira, por unë besoj që në qoftë se njeriu, sidomos kur do që të merret me politikë, krijon një raport të drejtë, me rrethin e vet shoqëror e para, dhe pastaj edhe me bindjet dhe idetë e tij, mund të ecë përpara.

Ide të qarta, marrëdhënie të qarta me njerëzit, pastaj pjesëmarrja aktive në debatin politik, pjesëmarrja aktive dhe në çështje të mëdha publike dhe padyshim angazhim mediatik më i madh, do të jepte shanse për një promovim më të qartë në politikë.

Shqipëria është një vend që Zoti ja ka falur të gjitha dhe duhet vetëm që ne të dimë të menaxhojmë veten tonë si njerëz, që në vend të ndarjes të kemi më shumë komunikim me njëri-tjetrin, në vend të urrejtjes të kemi më shumë dashuri për njëri-tjetrin, dhe në vend të përbuzjes të përpiqemi t`i ofrojmë njëri-tjetrit më shumë dinjitet.

Ka gjë më të shenjtë për ne sesa familja?

Kjo është vlera që ne kemi pasur ndër vite dhe këtë vlerë duhet t`a ruajmë dhe t`a çojmë përpara, dhe në emër të kësaj vlere, ne duhet të përpiqemi që të çohemi dhe të reagojmë.

Prandaj mendoj që në 25 Prill, përplasen dy botë me njëra-tjetrën. Bota e Edi Ramës që përfaqëson një regjim të korruptuar dhe të inkriminuar, dhe bota e shqiptarëve që duan një demokraci ku të gjithë janë të barabartë përballë ligjit, ku të luftohet korrupsioni dhe krimi.

Duhet t`i kërkoni gjithësecilit të dalë dhe të votojë, pavarësisht çfarë bindje politike ka. Duhet të dalë dhe të votojë dhe të tregojë që fatin e vet e vendos ai vetë. Pastaj mendoj që duhet të gjykojë se si duhet të votojë. E thashë njëherë, duke parë tek familja.

Mendoj që “Aleanca për Ndryshim”, duke vendosur në qendër të programit të saj, ideve të saj, forcën dhe rolin tonë si njerëz, dinjitetin tonë, punën dhe njëkohësisht ndihmën për familjen, që të zhvillojnë ekonomitë e tyre familjare dhe ekonominë kombëtare, ndihma karshi biznesit për të zhvilluar punësimin, ndihma karshi arsimit për të garantuar arsim kualitativ për të rinjtë dhe të rejat, një sektor shëndetësor, i cili të funksionojë dhe të na gjendet në ndihmë në momentet më të vështira të jetës sonë, janë besoj rrugët e ndryshimit të jetës sonë dhe për të realizuar qëllimet tona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!