Kreu i Partisë Republikanë, Fatmir Mediu, aleati historik i Partisë Demokratike ka bindjen se vendimi i mazhorancës për të kaluar Kodin Zgjedhor në Kuvend pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias, do t’i mbyllë rrugën evropiane Shqipërisë.
“Edi Rama nuk do të ndalet para asgjëje për të manipuluar votat për të vjedhur zgjedhjet edhe sikur Shqipëria të përjashtohet nga procesi i integrimit evropian. Pra kemi në krye një njeri të papërgjegjshëm që po shkatërron vendin, po na ndan nga bashkimi Evropian dhe nga njëri-tjetri.
Në një takim me strukturat e Partisë Republikane në Fier, Mediu theksoi se tani është koha që opozita të hedh hapat e saj për të siguruar fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit.
“Është detyrë imediate e opozitës, jo të presë se çfarë mund të bëjë Edi Rama, por të shikojë se çfarë mund të bëjë vetë. Gjëja me mirë që mund të bëjë opozita është të vijë, të ulet me të gjithë njerëzit e saj për të parë se ç’duhet bërë në çdo qendër votimi. Për të identifikuar votuesit dhe për t’i mundësuar të votojnë dhe për t’i mbrojtur votën”, tha ai.
Për kryerepublikanin, Presidenti i Republikës, Ilir Meta duhet të shpërndajë parlamentin duke mbrojtur kështu Kushtetutën dhe interesat e Shqipërisë.
/abcnews.al/