Mediu forum për Kosovën me politikanët e rajonit dhe ekspertët e SHBA, Haradinaj akuzon sërish Ramën

schedule17:35 - 22 Maj, 2020

schedule 17:35 - 22 Maj, 2020

Qendra e Sigurisë për Europën Juglindore, e drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane zoti Fatmir Mediu në bashkëpunim me David Philips, nga “Columbia University”,  organizuan një forum për situatën dhe të ardhmen e Kosovës.

Diskutimeve ju bashkuan dhe Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj ish-Kryeministër, si dhe aktorë të tjerë të rajonit, që shprehën mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe integritetit të saj territorial.

David Philips bëri me dijeni se shumë përfaqësues të Diasporës shqiptare në Amerikë i janë drejtuar Presidentit Trump me një letër ku kërkohet të ruhet sovraniteti i Kosovës.

Ata theksuan se ndryshimi i kufijve është një lëvizje e rrezikshme, në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon.

Fatmir Mediu theksoi se situata gjeopolitike në rajon ka ndryshuar dhe përfshirja e Rusisë në këtë diskutim është në dëm të interesave të Kosovës dhe rajonit.

“Sa për liderët e tjerë, gjithë shqiptarët veç Ramës kanë qenë kundër ndryshimit të kufijve”, u shpreh ai.

Kreu i Republikanëve thotë se të gjithë liderët politikë në Shqipëri, përveç Ramës ishin kundër ndryshimit të kufijve në Shqipëri.

Vjosa Osmani Kryetarja e Kuvendit të Kosovës theksoi se dialogu me Serbinë u shndërrua në marrëdhënie dhe marrëveshje sekrete te liderëve te Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve duke hapur kështu kutinë e Pandorës dhe kërcënuar stabilitetin rajonal.

Ndërsa ish kryeministri Haradinaj deklaroi sërish se  ndryshimi i kufijve ishte një marrëveshje e vendosur e Vuçiç, Ramës e Thaçit, të cilët së bashku kërkonin të merrnin mbështetjen e SHBA dhe BE./abcnews.al