Mediat: Vuçiç ka refuzuar planin amerikan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

schedule15:44 - 3 Qershor, 2018

schedule 15:44 - 3 Qershor, 2018

Mediat e Beogradit njoftojnë se Presidenti Aleksandër Vuçiç ka refuzuar planin amerikan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dokumenti i mbajtur sekret nga kreu i shtetit përmbante njohjen e pavarësisë.

Gazeta serbe “Novosti” shkruan se Presidenti Aleksandër Vuçiç ka hedhur poshtë një dokument pune, lidhur me zgjidhjen e çështjes së  Kosovës i njohur si “paketa amerikane”. Sipas medias së Beogradit, kreu i shtetit e ka vlerësuar këtë dokument të padenjë dhe të papranueshëm për Serbinë dhe nuk ka dashur që atë të bëjë publik.

“Ekzistenca e këtij dokumenti, i cili u dërgua së fundmi përmes kanaleve diplomatike joformale në Presidencën e Serbisë, u konfirmua të shtunën edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke shpresuar se Beogradi do të pranojë atë”, shkruan “Novosti”, duke nënvizuar se dokumenti në fjalë kërkon që në mënyrë indirekte por praktike që Serbia të njohë Kosovën.

Siç thuhet, “përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë u janë prezantuar katër shtylla të marrëveshjes historike. Gazeta e Beogradit pretendon se i ka siguruar katër pikat e “pakos amerikane”, të cilat i posedon presidenti serb.

“Asociacioni i Komunave serbe merr fuqi të gjera ekzekutive dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës. Asociacioni do të ishte i lidhur ngushtë me zv/kryeministrin e Kosovës, që do të ishte nga radhët e komunitetit serb, e që do të ishte kontrollues i kësaj bashkësie”, janë dy pikat e para, të prezantuara në artikullin e gezetës serbe.

Më tej thuhet se, Serbia nuk duhet ta pengojë rrugën e Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Beogradi duhet të mundësojë që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe OKB-së. Në qoftë se Serbia bie dakord me këtë paketë, do të ishte në gjendje të hyjë në BE, kurse SHBA do ta mbështeste në aspektin ekonomik dhe politikën ndërkombëtare”, thuhet në dy pikat e tjera./abcnews.al