Mediat: Thaçi dhe Vuçiç drejt çmimin Nobel nëse zgjidhen mosmarrëveshjet

schedule11:41 - 16 Gusht, 2018

schedule 11:41 - 16 Gusht, 2018

Gazeta serbe Danas në një artikull shkruan se presidenti i Kosovës Thaçi, ai i Serbisë Vuçiç dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini do të nominohen për çmimin Nobel për Paqen nëse arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Një ndikim i rëndësishëm për këtë, sipas gazetës është dhe biografia e Thaçit, e cila po promovohet në vende perëndimore.

Hashim Thaçi, Aleksander Vuçiç dhe Frederica Mogherini do të nominohen për çmimin Nobel për Paqe. Kjo do të ndodhë vetëm nëse çështja e Kosovës arrin të zgjidhet deri në pranverën e vitit 2019. Kështu shkruan gazeta serbe “Danas”, e cila mbështetet në burime diplomatike perëndimore. “Hapi i parë drejt nominimit të mundshëm të presidentit të Kosovës, është biografia e tij me titull “Shtet i Ri, Burrështetas Modern”, i cili gjatë kësaj vere po promovohet në kryeqendrat perëndimore”, nënvizon gazeta serbe.
Autorët e biografisë së Thaçit janë redaktori diplomatik britanik i revistës “Time”, Rodger Boys dhe gazetarja e kësaj reviste Susy Jagger, ndërsa parathënien e ka shkruar ish-kandidati për president i SHBA-s, Bob Dol, i cili konsiderohet si njëri nga këshilltarët e presidentit Trump.

“Bashkëbiseduesit tonë thonë se në qoftë se zgjidhet problemi me Kosovën atëherë shanset janë që Thaçi, Vuçiç e Mogherini do të nominohen për çmimin Nobel”, shkruan Danas. Sipas informacioneve jozyrtare të kësaj gazete, libri i Thaçit ku flitet për veprimtarinë e tij, është prezantuar në Londër, Berlin, Paris e Vjenë. Raportime se Thaçi e Vuçiç mund të jenë kandidatë për çmimin Nobel për Paqe ka pasur edhe më herët. Ndërkohë, shkrimi i Danas vjen pas intervistës që zhvilloi me presidentin e Kosovës, i cili ripërsëriti qëndrimin e tij për ndryshimin e kufijve, gjë e cila kundërshtohet nga shumë parti dhe politikanë në Kosovë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!