Mediat spanjolle në këmbët e Lionel Mesit

schedule14:55 - 5 Mars, 2018

schedule 14:55 - 5 Mars, 2018

Mediat spanjolle janë në këmbët e Lionel Mesit. Ylli i Barceonës vlerësohet si njeriu që vendosi titullin kampion dhe që është lojtari më i mirë në botë.

Sa herë që duhet vendosur, në skenë del ai.

Ishte përsëri Lionel Mesi shpëtimtar i Barcelonës, dhe goli i tij ndaj Atletikos besohet se përcaktoi titullin kampion në Spanjë.

Përveç lumturisë së jashtëzakonshme të tifozëve katalanas në “Kamp Nou” dhe përveç statistikave në tabelën e renditjes, që tregojnë qartë epërsinë e Barçës në La Liga, në Spanjë pati edhe një kor të jashtëzakonshëm të mediave në favor të atij që e quajnë lojtari më I mirë në botë.

Gazeta “Marka” e Madridit hap kopertinën: Goditje direkte për La ligën!

Gazeta “AS”, po e Madridit: Mesi përqafon Ligën. Goli i tij i madh rrëzoi Atletikon dhe i dha 8 pikë epërsi Barçës!

Ja edhe nga Barcelona.

Gazeta “El Mundo Deportivo”: Në thes! Goli i madh i Mesit, I 600-ti në karrierë, bën që Barça të verë një dorë tek titulli!

Gazeta “Sport”: Liga e Zotave!

Një lojë fjalësh, ku në vend të shkronjave I dhe O ishte vënë numri 10 i argjentinasit.

Një koment edhe në gazetat e përgjithshme si “La Vangardia”: Gol i artë! Rrjeta e Mesit mund të vlejë kampionatin!

Nga vendlindja e tij, Argjentina, gazeta “Ole”: Janë 600! Gol i madh ndaj Atletikos! Mesi nuk përmbahet dhe Barça është 8 pikë përpara!

Komentet për argjentinasin nuk mbarojnë me kaq.

“Liga e Mesit”, titullin “Marka”duke theksuar se Leo është ai që vendos kampionatin, duke vendosur ndaj Realit, në derbi, ndaj Atletikos, në momente të vështira e në momente të lehta.

Tashmë, ai nuk është vetëm lojtari më i mirë në botë, por edhe udhëheqësi i Barcelonës.

“Besueshmëria e një lojtari unik”, vazhdon lavdërimet e saj gazeta kryesore e Madridit.

Epik komenti i trajnerit të Atletikos, Diego Pablo Simeone, për yllin rival.

Simeone: “Është e qartë se nëse do t’ia hiqnim Mesit fanelën e Barcelonës dhe do t’i vishnim atë të Atletikos, atëherë ne ndoshta do të fitonim 1-0, por ai luan për Barcelonën, ja pra që nuk është aq e lehtë”.

Edhe trajneri i Barcelonës, Valverde, bie dakord, indirekt me këtë.

Valverde: “Mesi është një lojtar që nuk ka të dytë si ai në botë. Kjo është e qartë. Unë nuk e di se çdo të kishte ndodhur, por as nuk dua që ta imagjinoj”.

Tashmë, Mesi ka arritur në kuotën e 600 gola në karrierë, ndërsa ky ishte goli i 100-të i Barcelonës këtë sezon.

Po ashtu, ai ka vendosur një tjetër rekord në karrierë.

Tri ndeshje radhazi në La Liga që shënon gol me goditje dënimi, diçka që nuk kishte ndodhur më parë.

Nuk duhet harruar se ai është shënuesi më i mirë në historinë e La Ligës me 373 gola, dhe po ashtu ka rekordin e asisteve me 148 të tillë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!