Jep dorëheqjen ministri i Mbrojtjes në Kosovë, ja kush e zëvendëson

schedule10:18 - 8 Gusht, 2023

schedule 10:18 - 8 Gusht, 2023

Të tjera ndryshime në qeverinë e Albin Kurtit. Kryeministri ka konfirmuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, e cila sipas tij vjen për shkaqe familjare.

Po ashtu kryeministri ka konfirmuar se ministri i ri i Mbrojtjes do të jetë Ejup Maqedonci.

“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës.

Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë” thotë Kurti.

Kolonel Maqedonci ka përfunduar dy Kolegje ushtarake dhe dy programe master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Para se të bëhej pjesë e FSK-së, Ejup Maqedonci kur ishte 19 vjec iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë asaj kohe, ka shërbyer si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në UÇK. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!