“Ekspress” në Kosovë ka raportuar ditën e sotme se dy ministrat kosovarë Besa Shahini dhe Gent Cakaj do të rikthehen në Kosovë.
Gazeta shkruan se ministrat e Ramës, do të lënë postet dhe do t’i bashkohen politikës kosovare.
Sipas raportimeve Cakaj do të bashkohet me partinë e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ndërsa Shahini, bashkëshorte e kryetarit të PSD-së Dardan Molliqajt, sipas këtyre shkrimeve, mund t’i bashkohet skenës politike kosovare, por nën siglën e partisë së Kadri Veselit.
Ministri Gent Cakaj dhe ministrja Besa Shahini thuhet se do të jenë në listën e reformave që kryeministri Rama planifikojë t’i bëjë në kabinetin e tij.
Por, të dy anëtarët e kabinetit të qeverisë Rama 2 kanë reaguar për këto lajme dhe i kanë përgënjeshtruar.
“Nënvizojmë se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me to. Siç ndodh rëndom në kaosin dashakeq dhe lajmet e rreme që mbizotërojnë aktualisht në media, edhe lajmi në fjalë është plotësisht i pavërtetë”, tha në një reagim Shahini.
Edhe zyra për Media e Gent Cakaj i ka mohuar këto lajme dhe i ka quajtur spekulime.
“Cakaj është Ministër në detyrë për Evropen dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë si dhe Sekretar i Partisë Socialiste te Shqipërisë. E gjitha puna e tij është e fokusuar tek realizimi sa me i suksesshëm i detyrave të cilat i janë caktuar dhe mbi te gjitha këtij mandati. Çdo punë e tij e zhvilluar deri më sot shkon në përputhje me mandatin e tij. Kjo për t’u nënvizuar. Më vjen keq, por çdo gjë tjetër është spekulim për qëllime politike”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë”./abcnews.al