Mediat greke për ceremoninë e varrimit të Kaçifas

schedule22:43 - 8 Nëntor, 2018

schedule 22:43 - 8 Nëntor, 2018

Mediat greke dhe agjencitë e lajmeve online shkruajnë se kanë qenë me mijëra ata që përcollën për në banesën e fundit Kostandin Kaçifas. Në ceremoninë e varrimit nuk kanë munguar flamujt grekë si dhe këndimi i himnit në sheshin e fshatit.

Ta Nea, agjencia greke e lajmeve në titullin e saj kryesor zgjedh të shkruajë: Lamtumirë nga mijëra flamuj grekë. Në këtë mënyrë mediat greke kanë pasqyruar ceremoninë e varrimit të minoritarit grek Kostandin Kacifas në Bularat. Sipas Ta nea, më shumë se dy mijë persona u mblodhën në fshat dhe pasi kënduan himnin grek duke mbajtur në duar flamuj të shumtë të Greqisë, përcollën për në banesën e fundit Kacifas. Për një tjetër agjenci greke të lajmeve, Prototema, pjesëmarrësit në varrimin e Kaçifas ishin më shumë se tre mijë. Bularati pushtohet nga flamuj grek, ku me qindra shtetas grekë kanë mbërritur në Epirin e veriut për të përcjellë Kacifas. Më tej 35 vjeçari përshkruhet si një njeri që dha gjakun e tij për fshatin ku u lind, por gjithashtu ka marrë pjesë dhe në manifestime për çështjen e Maqedonisë në Athinë dhe Selanik.

Me flamuj grekë dhe nën himnin kombëtar, Kostandin Kaçifas përcillet për në banesën e fundit shkruan “Antena” në raportimin e saj. Një lumë personash të ardhur nga Greqia i janë bashkuar familjarëve të Kaçifas për ti dhënë lamtumirën e fundit, vijon më tej shkrimi i cili konfirmon se janë hedhur dhe parulla por pa specifikuar se cfarë përmbanin. Agjencia greke e lajmeve Skaj shkruan ndër të tjera se arkivoli i Kaçifas ishte mbështjellë me një flamur të madh grek dhe shumë njerëz që e shoqëronin hidhnin parulla: Kaçifas ti jeton dhe na frymëzon. Linja e përbashkët e këtyre raportimeve ishte ajo e një situate të nderë gjatë ceremonisë si dhe të frymës patriotike greke që e shoqëroi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!