Mediat greke: Kërcënohet me vdekje Nikos Kotzias

schedule09:54 - 2 Shkurt, 2018

schedule 09:54 - 2 Shkurt, 2018

Mediat greke kanë zbuluar se ministri i jashtëm i qeverisë së Athinës, Nikos Kotzias ka marrë një letër, në të cilën kërcënohet me vdekje ai dhe familja e tij. Zougla.gr thekson se në një letër të dërguar shefit të diplomacisë thuhej: “Ne kemi 3 plumba për ty”. Lajmi për ekzistencën e dokumentit është konfirmuar për mediat greke nga ministri i Mbrojtjes, Nikos Toskas. Ky i fundit nënvizon se letra vjen në kohën kur Athina është në negociata me Shkupin për emrin e Maqedonisë. Sipas Toskas, po bëhen përpjekje për të minuar klimën politike pozitive që ekziston për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ministri i Brendshëm u bëri thirrje partive politike që të dënojnë veprime të tilla. Ndërkohë, policia ka marrë në dorëzim letrën kërcënuese dhe ka nisur hetimet për të zbuluar dhe arrestuar autorin e saj./abcnews.al