Mediat Gjermane: Merkel në përpjekje për të ndalur shkëmbimet territoriale Kosovë-Serbi

schedule10:57 - 21 Prill, 2019

schedule 10:57 - 21 Prill, 2019

 

Sipas një editoriali të gjermanes ‘Der Tageshpigel’, kancelarja gjermane Angela Merkel synon të ndalë shkëmbimet territoriale Kosovë-Serbi. Ky qëndrim vjen në një kohë kur shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini mbështet një shkëmbim territorial mes 2 vendeve.

Në një kohë që kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë organizuar në 29 prill në Berlin një samit për Ballkanin Perëndimor, pyetja kryesore është: “A është një shkëmbim territoresh mes shteteve përgjatë vijave ndarëse etnike, një mjet i përshtatshëm për zgjidhjen e konflikteve në shekullin e XXI?”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbështesin një shkëmbim të tillë territorial mes vendeve të tyre, ndërsa Merkel e kundërshton fuqishëm atë.

Gjermania “Der Tageshpigel” në një editorial të saj shkruan se vjeshtën e kaluar Vuçiç dhe Thaçi bënë propozimin për të çuar përpara bisedimet të normalizimit në mes të dy vendeve përmes shkëmbimit të territoreve. Sipas planit Serbia duhet të marrë zonat në veri të Kosovës të banuara nga serbët. Në kthim, zonat e banuara kryesisht nga shqiptarë në fshatrat në jug të Serbisë t’i shtohen Kosovës.

Në atë kohë, kur krerët e Serbisë dhe të Kosovës bënë propozimin, Merkel kundërshtoi qartë idenë për një shkëmbim territorial. Merkel ka frikë se një demarkacion i ri midis Serbisë dhe Kosovës mund të provokojë në Ballkan ri-rregullime të rrezikshme përgjatë vijave etnike.

Me këtë samit të nivelit të lartë, qeveria federale gjermane tregon se dëshiron ende të ketë një zë të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë ka pasur edhe thashetheme se Macron, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin kanë marrë vetë në dorë të ardhmen e rajonit që dëshiron integrimin në BE, por ndodhet edhe nën presionin e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Federica Mogherini do të jetë pjesë e takimit. Roli i italianes është i diskutueshëm. Ishte ajo që si koordinatore e BE në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka folur hapur për një shkëmbim territoresh mes dy vendeve.

Nuk është e qartë se cili është pozicioni i Macron në diskutimin për shkëmbimin e territoreve. Në Francë ka shumë simpati për një demarkacion të ri. Ish-ministri i Jashtëm, Bernard Kouchner deklaroi në shtatorin e kaluar se shkëmbimi i territoreve është “një zgjidhje e mirë”. “Komuniteti ndërkombëtar nuk ka të drejtë që të ndërhyje mes Thaçit dhe Vuçiç” – tha Kouchner, që konsiderohet si një njeri i besuar i liderit të Kosovës.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Dušan Reljic nga “Science and Politics Foundation” e sheh të paaftë BE-në që për vite me radhë nuk e vuri re rrjedhjen e shtresës së mesme jashtë këtij rajoni duke çuar në plakjen e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk ka konvergjencë, por një divergjencë në rritje mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” – thotë ai.

Premtimi i BE-së se jetesa do të përmirësohet automatikisht me perspektivën e para-anëtarësimit tashmë është venitur.

Mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor është më e mundshme që Serbia dhe Mali i Zi të arrijnë hyrjen në BE. Vitin e kaluar Komisioni Europian premtoi të përfshinte të dy vendet brenda vitit 2025.

Këtë vit Komisioni Europian nuk dëshiron të publikojë relacionet e saj të progres-raportit për Ballkanin Perëndimor gjë që do ta bëjë pas zgjedhjeve europarlamentare. Me këtë rast, autoritetet në Bruksel do të evitonin edhe diskutimet e bezdisshme për zgjerimin me vende të Ballkanit që i afrohen Unionit./Der Tagesspiegel