Vijon jehona në mediat e huaja për grabitjen e një dite më parë në aeroportin e Rinasit në kryeqytet. E ndërsa mediat greke raportojnë se personi i vrarë quhet Admir Murataj, media të tjera theksojnë se shuma e gabitur mund të jetë rreth 10 milionë euro.
Personi i vrarë gjatë grabitjes së të martës në aeroportin e Rinasit është Admir Murataj. Kështu raportojnë mediat greke të cilat theksojnë se Murataj ndodhej në arrati që nga marsi 2013, kur bashkë me 10 të burgosur të tjerë shqiptarë ishin arratisur në mënyrë spektakolare nga burgu i Trikalas.
Por lajmi për grabitjen në aeroportin “Nënë Tereza” ka gjetur pasqyrim edhe në mediat italiane. E përditshmja “Corriere della Sera”, në edicionin online i kushton vëmendje shifrës së grabitur prej 10 milionë eurosh. Gazeta shkruan se agresorët hipën në një avion të linjës “Ostrian Eirllajns” duke kryer një grabitje spektakolare. Një tjetër detaj ku është fokusuar gazeta është edhe fakti se grabitësit ishin të armatosur me kallashnikovë dhe granata. Një tjetër e përditshme që ka raportuar lajmin është “Il Fato Kuotidiano”. “Grabitje 10 milionë-euroshe”, shkruan gazeta, e cila gjithashtu rrëfen dinamikën e ngjarjes, se si autorët të maskuar e të armatosur deri në dhëmbë hynë në perimetrin e aeroportit, hipën në shkallët e avionit dhe zbrazën shumën e madhe të parave. Dy të përditshmet italiane shkruajnë gjithashtu se grabitësit po kërkohen në mbarë vendin. Edhe agjencia Reuters si dhe media austriake e kanë pasur në qendër të vëmendjes ngjarjen në aeroportin e kryqytetit tonë duke përmendur se shuma që mendohet të jetë grabitur e që si destinacion kishte Vienën është rreth 10 milionë euro. /abcnews.al