Sipasn mediave amerikane Ukraina ka rënë dakord me planin e paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, me disa detaje të vogla që ende duhen përpunuar.
Një zyrtar i administratës së Donald Trump tha për mediat amerikane se ukrainasit kanë pranuar marrëveshjen e paqes, edhe pse ka ende disa pika që duhen zgjidhur.
Pas bisedimeve mes delegacionit amerikan dhe atij ukrainas në Gjenevë, plani fillestar me 28 pika, është reduktuar në 19 dhe nuk përfshin më pikën që ka të bëjë me kufizimet e ushtrisë së Ukrainës në të ardhmen dhe një tjetër që ka të bëjë me amnistimin e akteve të kryera gjatë luftës.
Në një postim në X, sekretari i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, shkroi se delegacionet kishin arritur një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet thelbësore të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë, por nuk përmendi që Kievi ta kishte pranuar, ndërsa Volodymyr Zelensky kishte përsëritur se ka ende shumë punë për të bërë.
Plani I propozuar nga Donald Trump, edhe nëse I jep fund luftës, do të ishte një goditje e madhe për Ukrainën, e cila do duhet të dorëzojë Donetskun dhe Luhanskun, që përbëjnë Donbasin dhe Uashingtoni do t’I njohë këto rajone si të Rusisë.
Sipas këtij plani, Ukraina duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe të theksojë se nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, ndërsa do duhet të njohë edhe rusishten si gjuhë zyrtare.
Volodymyr Zelensky kishte paralajëmruar se Ukraina rrezikonte të humbiste një aleat të madh, siç janë Shtetet e Bashkuara, ose të humbiste dinjitetin.
Ai pritet të vizitojë Uashingtonin benda kësaj jave për t’u takuar me Donald Trump, i cili i kishte lënë një afat për t’u përgjigjur deri këtë të enjte.
Ky zhvillim vjen pasi u raportua se sekretari amerikan i ushtrisë Dan Driscoll mbajti bisedime me një delagacion rusë në Abu Dabi, ku të pranishëm kishte edhe zyrtarë ukrainas, edhe pse asnjëra palë nuk e konfirmoi zyrtarisht.
Por edhe pse ka sinjale se Ukraina mund ta ketë pranuar planin që do i jepte fund luftës, Rusia nuk i ndali sulmet dhe la të vrarë të paktën 6 persona në Kiev.
Thuajse 500 dronë dhe raketa ruse goditën edhe rajonet e tjera si Dnipro, Kharkiv dhe Çernihiv.
Dy dronë ruse shkelën gjithashtu hapësirën ajrore të Rumanisë e cila ngriti avionët e NATO-s në gjendje gatishmërie, ndërsa dy dronë të tjerë hynë në hapësirën ajrore moldave./abcnews.al

