“El Periódico”: Shqipëria, “parajsa” që bashkon vendet e trashëgimisë botërore me plazhet mahnitëse

schedule08:01 - 9 Nëntor, 2024

schedule 08:01 - 9 Nëntor, 2024

Kur planifikojmë një udhëtim në Evropë, shpesh priremi të zgjedhim vende si, Parisi, Londra, Berlini ose Roma, që janë destinacione shumë të njohura dhe, për fat të keq, kjo bën që çmimet të jenë të larta, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle “El Periódico”.

Si do të ndiheshit nëse do ju thosha se ekziston një “parajsë” që bashkon vende të trashëgimisë botërore, plazhe mahnitëse dhe akomodime me kosto të ulët?

Kjo “parajsë” ekziston dhe quhet Shqipëri!

Ky vend, i vendosur në juglindje të gadishullit ballkanik evropian dhe i lagur nga detet Jon dhe Adriatik – njihet për ofrimin e një raporti të shkëlqyer cilësi-çmim, gjë që e bën atë një destinacion mjaft tërheqës për vizitorët me buxhet të kufizuar.

Nëse keni dyshime se çfarë mund të ofrojë Shqipëria, ju rekomandojmë pesë qytetet kryesore që nuk duhet t’i humbisni nëse vendosni të vizitoni vendin!

Tirana

Ndalesa e parë, është në Tiranë, kryeqyteti i vendit.

Në këtë qytet historia dhe moderniteti janë të ndërthurura me mjeshtëri. E njohur për diversitetin e saj kulturor dhe arkitekturën plot ngjyra, Tirana njihet për frymën e saj novatore dhe trashëgiminë e pasur kulturore.

Ndër gjërat thelbësore të saj spikat Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, ku qëndron shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Muzeu Historik Kombëtar dhe Piramida e Tiranës janë gjithashtu vende interesante, të cilat ofrojnë një dritare në të kaluarën komuniste të vendit.

Një tjetër vend që duhet vizituar është Blloku, një lagje që dikur ishte shtëpia e elitës komuniste dhe sot shfaqet para nesh plot kafene, restorante dhe jetë nate.

Gjithashtu nuk duhet të humbisni një shëtitje në Parkun e Madh të Tiranës, i përsosur për t’u çlodhur pas një dite intensive duke eksploruar qytetin.

Saranda

Në jug të Shqipërisë zbuloni Sarandën, një nga thesaret e Rivierës Shqiptare.

Falë ujërave të saj spektakolare të kristalta – të cilat nuk kanë asgjë për të pasur zili me destinacionet e tjera shumë më të shtrenjta dhe të mbushura me turistë – ajo po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor.

Me pamje nga deti Jon, Saranda është ideale për ata që kërkojnë të pushojnë në plazhet parajsore si Ksamili.

Nëse adhuroni historinë dhe arkeologjinë, më pak se 20 minuta me makinë nga Saranda do të mund të zbuloni Butrintin.

Butrniti, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mund të eksploroni rrënojat greke, romake dhe bizantine të rrethuar nga natyra e harlisur.

Gjirokastra

Dhe nga një vend i Trashëgimisë Botërore në tjetrin, që kur Gjirokastra u bë pjesë e kësaj ‘liste të zgjedhur të UNESCO-s’ në vitin 2005 – falë arkitekturës osmane të ruajtur mirë, si dhe kullës, të cilat pasqyrojnë stilin tradicional ballkanik.

I njohur si ‘Qyteti i Gurtë’, është një nga destinacionet më magjepsëse në Shqipëri falë rrugëve me kalldrëm dhe shtëpive tradicionale me çati prej guri, të cilat ofrojnë një atmosferë magjike për ata që kërkojnë një udhëtim në të kaluarën.

Kalaja e Gjirokastrës është një vend që duhet vizituar, me pamje spektakolare të qytetit dhe një muze armësh që tregon historinë ushtarake të rajonit.

Gjithashtu, nuk duhet të humbisni Shtëpinë e Zekatëve, një shembull i arkitekturës osmane, që ju kthen pas në shekullin XIX; Pazari i Vjetër; apo Kisha e Shën Sotirit, një tempull ortodoks që tregon diversitetin fetar të zonës.

Korça

Korça njihet si ‘Parisi i vogël’ dhe me këtë nofkë tashmë e dimë se nuk do të zhgënjejë.

Qyteti shquhet për atmosferën e tij boheme, si dhe si vendi ku u ndërtua shkolla e parë shqipe.

Vizitoni Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, një ndërtim mbresëlënës ortodoks që shquhet për arkitekturën e tij monumentale dhe ngjyrat e gjalla.

Muzetë janë gjithashtu një pjesë thelbësore e Korçës, si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili strehon një koleksion të vlefshëm ikonash bizantine.

Ashtu si në Gjirokastër, është interesante të shëtisni qytetin duke ecur nëpër Pazarin e Vjetër, i cili së fundmi është restauruar.

Zbuloni gjithashtu një nga kantinat lokale, bëni një vizitë në vreshtat dhe një degustim të verërave vendase Shesh i Bardhë ose Shesh i Zi.

Berati

I njohur si ‘qyteti i një mbi një dritareve’, është një nga destinacionet më magjepsëse në Shqipëri falë arkitekturës osmane dhe bukurisë natyrore.

Qyteti është gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një destinacion që bashkon historinë, kulturën dhe peizazhet verbuese.

Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Beratit, e cila ngrihet mbi qytet dhe ofron pamje mahnitëse panoramike të luginës dhe Lumit Osum.

Brenda kalasë, mund të eksploroni Kishën e Shën Mërisë dhe të shijoni një shëtitje nëpër rrugicat e saj me kalldrëm.

Gjithashtu eksploroni Muzeun Onufri, i cili strehon një koleksion të dukshëm ikonash dhe arti fetar; apo lagjen e Mangalemit, e përkryer për të ecur dhe për të zbuluar shtëpitë tradicionale me dritaret e tyre karakteristike.

Nëse doni të zbuloni një vend me peizazhe që të lënë pa frymë, qytete të Trashëgimisë Botërore apo kuzhinë interesante, Shqipëria do t’ju befasojë./ata

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!