Media italiane, apel turistëve: Pushoni në plazhet e Shqipërisë

schedule15:22 - 13 Gusht, 2024

schedule 15:22 - 13 Gusht, 2024

Pushime në Shqipëri? Ajo është destinacioni i verës. Plazhe, gjire sekrete dhe fshatra me shpirt të lashtë. Kështjella me pamje nga deti, vende arkeologjike të fshehura në pyje dhe mikpritje e ngrohtë, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Vanity Fair Italia”.

Udhëtoni pas në kohë dhe humbisni mes rrënojave antike, pushoni në plazhet idilike dhe kushtojini disa orë vizitave kulturore në vendin mesdhetar!

Nuk është rastësi që “Lonely Planet” dhe “New York Times” e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve kryesore për të kaluar pushimet. Toka e Shqiponjave është destinacioni i ri në modë në Mesdhe.

“Shqipëria është një vend me përmasa të vogla, por gjeografikisht shumë i larmishëm.  Nga Alpet veriore deri te plazhet përgjatë bregdetit jugor, duke kaluar nëpër qytetet e artit, fshatrat, lagunat, liqenet dhe zonat arkeologjike, është një destinacion udhëtimi që kënaq nevojat e çdo vizitori”, tha ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në Forumin FESTA në Tiranë.

“Pa harruar se territori ynë përshkohet nga Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës – një habitat vendimtar në ruajtjen e llojeve të ndryshme të kafshëve dhe bimëve – i cili sapo është shpallur Park Kombëtar”, shtoi ajo.

Konferenca e parë ndërkombëtare për turizmin u organizua në Ballkan, në fillim të prillit, me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm të UNWTO, Zurab Pololikashvili dhe përfaqësuesve të sektorit të turizmit nga rreth 40 vende.

Të dhënat për turizmin në Shqipëri janë pozitive: këtë e vërtetojnë edhe investimet e rëndësishme në sektorin e hotelerisë – dhe rritja linjave ajrore nga e gjithë Evropa me kryeqytetin, Tiranën – e cila vitin e kaluar u zgjodh Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe këtë vit Kryeqyteti Sportiv Evropian.

Në vitin 2022, Shqipëria u vizitua nga 7,5 milionë turistë të huaj – dhe këtë vit sipas statistikave do të ketë edhe më shumë.

Një shifër shumë e rëndësishme – nëse marrim parasysh numrin e banorëve në vend – 2,8 milionë sipas regjistrimit të fundit.

Mes plazheve, qyteteve dhe aventurave, ja çfarë nuk duhet humbur gjatë një udhëtimi në jug të Shqipërisë!

PLAZHET, PARQET DETARE DHE VENDET ARKEOLOGJIKE

Pak kilometra larg kryeqytetit Tiranë, Durrësi është një nga qendrat më të vjetra të banuara në Ballkan – me vende të rëndësishme arkeologjike, një amfiteatër të madh në zemër të qytetit, i cili në kohët e lashta strehonte deri në 20 000 njerëz.

Durrësi është i rrethuar nga plazhe të njohura gjatë sezonit veror, si Golemi – me plazhe me rërë të imët dhe hapësira me pyje pishe, ideale për familjet që udhëtojnë me fëmijë të vegjël – dhe Kepi i Rodonit, në veri, një kep shkëmbor me plazhe të egra dhe shkurre mesdhetare.

Ideale për t’u zbuluar në fillim të verës, kur turistët janë të paktë dhe klima është ende e butë!

Duke shkuar në jug, Vlora është pikënisja për të zbuluar bukuritë e bregdetit jugor shqiptar.

Qyteti ofron një ndërthurje plazhesh dhe pikash kulturore me interes, duke përfshirë Manastirin e Zvërnecit, lagunën e populluar nga kolonitë e flamingove migratore, Kalaja e Kaninës – qendra historike e restauruar së fundmi, Gadishulli i Karaburunit dhe Parku Kombëtar Detar i Ishullit të Sazanit – ish zonë ushtarake tashmë e hapur për publikun, me disa nga plazhet më të bukura në vend, shpella që janë kthyer në habitat të fokave mesdhetare dhe natyrë të pacënuar.

Pa harruar Radhimën, në jug të qytetit, me plazhet e shumta ku relaksi është kryefjala.

RIVIERA JUGORE

Ajo që lidh Qafën malore të Llogorasë, në jug të Vlorës, me Ksamilin, vendndodhja e fundit shqiptare përpara kufirit grek, është pjesa më magjepsëse e bregdetit në Shqipëri.

Një zonë e karakterizuar nga male, plazhe si në kartolina, fshatra prej guri, manastire, kanione dhe kështjella me pamje nga deti.

Fshatrat si Dhërmi, Vuno dhe Qeparo, me shtëpi tradicionale, kisha të vogla të bardha me kupola blu – janë secili më i bukur se tjetri.

Nga Kalaja e Himarës mund të shijoni pamjet më magjepsëse përgjatë bregdetit, ndërsa Saranda është destinacioni i paharrueshëm për ata që kërkojnë jetë të gjallë nate.

PARKU ARKEOLOGJIK I BUTRINTIT

Pas Ksamilit, Parku Arkeologjik i Butrintit është vendi më i rëndësishëm historik në Shqipëri, me mbetje arkeologjike që datojnë nga epoka ilire deri në mesjetë – i themeluar, sipas Virgjilit, nga Trojani Helenus, i biri i mbretit Priam, i cili u zhvendos në perëndim pas rënies së Trojës.

Rruga, brenda një pylli të harlisur, është e pasur me mbetje arkeologjike, ndër të cilat spikasin teatri romak, bazilika që daton në shekullin e VI, pagëzimorja e hershme e krishterë, porta e luanëve dhe kalaja veneciane, ku ndodhet një muze në të cilin tregohet historia e qytetit antik.

Nga këtu pamja e lagunës përreth të lë pa fjalë. Një vend për t’u admiruar me gjithë shkëlqimin e tij. Me qetësi. Pa turma. Një ëndërr!

ÇFARË TË BËNI NË SHQIPËRI

Ekskursione me çiklizëm: ture në brendësi të Vlorës të organizuara nga “GAIA-Green Adventures Into Albania” për të zbuluar bukuritë natyrore dhe jo vetëm të Shqipërisë.

Një mundësi që nuk duhet humbur për të qenë në kontakt të ngushtë me natyrën e egër të vendit ballkanik – dhe gjithashtu për të vizituar vendet më pak të njohura turistike.

Nisuni nga Saranda për të vizituar plazhet, gjiret dhe disa nga zonat më të bukura dhe ekskluzive të Rivierës jugore Shqiptare – të shoqëruar nga guida vendase që e njohin në mënyrë perfekte zonën dhe historinë e saj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!