“Me tren për…”/ Sa funksionale janë linjat hekurudhore në Shqipëri?

schedule21:22 - 7 Maj, 2022

schedule 21:22 - 7 Maj, 2022

Nga emisioni Vetting: 

Të rinj të një organizate kulturore u nisën të shtunën e 30 prillit në një udhëtim me tren drejt Shkodrës, për të festuar ditën e muzikës xhaz…

Përmes tingujve të muzikës të rinjtë nisën plot entuziazëm udhëtimin drejt Shkodrës, atje ku i priste një program i detajuar festimesh.

Pas disa kilometrash udhëtimi nga Vora, i priste një surpizë jo fort e këndshme. Një kamion i preu rrugën trenit duke shkaktuar aksident… fatmirësisht pa pasoja e dëmtime në njerëz.

Shoferi i kamionit ishte nisur për punët e përditshme i pashqetësuar dhe pas asnjë merak nëse në krahun e tij të majtë do të kalonte një tren. Sepse prej vitesh shinat e këtij segmenti hekurudhor nuk përshkohen prej trenave.

Për shkak të paqartësisë së internerarit të trenave, kanë ndodhur shumë aksidente. Ka ndodhur shpesh përplasja e automjeteve të ndryshme si në rastin e fundit në Fushë Mamurras.

Ka raste kur nga përplasja e trenave me automjete apo këmbësorë ka shkaktuar edhe viktima

Sipas statistikave të ministrisë së brendshme, gjatë vitit 2016 kanë ndodhur 24 aksidente hekurudhore. Në vitin 2017 kanë ndodhur 9 aksidente.

Në Shqipëri nuk funksionojnë trenat por paradoksalisht renditet ndër vendet e para në botë me më shumë aksidente me tren.

Vit pas viti numri i aksidenteve është minimizuar jo për ndonjë përmirësim në sistem por për shkak të uljes drastike të numrit të trenave në qarkullim.

Aksidenti I fundit erdhi për shkak të mungesës së sinjalistikës edhe për shkak se udhëtimet me tren nuk janë periodike dhe drejtuesit e automjeteve apo kalimtarët nuk janë të njohur me një program të caktuar të udhëtimit të trenave. Sepse në fakt udhëtimi me tren nuk është më opsion për shumicën e popullsisë. Eksperti i transporteve Osman Metalla, nuk e mban mënd udhëtimin e fundit me tren

Udhëtimi me tren ishte dikur një ndër zgjidhjet kryesore për qytetarët. Do të duhej të vazhdonte të ishte si zgjidhje kryesore për udhëtimin e qytetarëve për shumë arsye.

Sipas statistikave të drejtorisë së transportit hekurudhor, në vitin 2006, udhëtuan 1.6 milion njerëz me tren. Ndërsa në vitin 2020 udhëtimi me tren u përdor nga vetëm 18 mijë njerëz. Këto ditë është parë të funksionojë vetëm një linjë treni, ajo Shkodër-Laç dhe kthim. Kjo linjë funksionon vetëm një herë në javë, ditën e martë dhe shërben për të transportuar besimtarët e krishterë drejt kishës së laçit.

Vetting ka udhëtuar në linjën e vetme funksionale Shkodër- Laç për të parë nga afër kushtet në të cilat ndodhet treni I vetëm në Shqipërinë e vitit 2022.

Siç e shihni gjendja është dramatike… me xhama të thyer, sedilje të shkatërruara…treni përshkon trasenë gjithashtu të shkatërruar dhe ecën me vetëm 10-20 km në orë. Ndërkohë në kabinën e makinistit të trenit është shënuar deri në  90 km në orë. Kjo situatë vjen për shkak të mungesës së vëmendjes së qeverive ndaj transportit hekurudhore.

Pavarësisht kushteve të mjerueshme,  për shumë banorë të zonave ndërmjet laçit dhe Shkodrës, ky udhëtim me tren është e vetmja zgjidhje.

Gjatë udhëtimit nga Laçi në Shkodër janë katër stacione. Ky është një prej tyre.

Udhëtarët kanë kohë të bëjnë ndonjë sy gjumë për shkak se u duhet të presin gjatë. Udhëtarët dalin herët në stacion por asnjëherë nuk e dinë orën kur mbërrin treni për shkak të pengesave të paparashikuara.

Siç vërehet gjatë udhëtimit në segmente ku shinat e trenit takohen me rrugët automobilistike, nuk ka asnjë sinjalistikë që lajmëron se treni po vjen. Vetëm një prej stacioneve shfaqet një punonjës me tabelët në dorë që i jep sinjal trenit për tu nisur.

Prej 30 vitesh nuk ka asnjë investim në linjat hekurudhore edhe pse ekziston një drejtori e hekurudhave. Në mungesë të investimeve, drejtoria e hekurudhuro e ka krejt të pamundur të mirëmbajë linjat funksionale pasi të ardhurat që përfitohen nga biletat e pak pasagjerëve janë të papërfillshme. Një biletë udhëtimi me tren nga Shkodra në Laç kushton vetëm 95 lekë.

Megjithatë ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh në disa zona të vendin që megjith rrezikun dhe gjendjen e mjerueshme të trenit, e kanë zgjidhje të vetme sepse nuk kanë mundësi të përballojnë çmimet e larta të udhëtimit me automjete të tjera.

Raporti i Ministrisë së infrastrukturës i vitit 2017, na tregon se linjat kryesore funksionale kanë një gjatësi totale prej 317.78 kilometrash dhe përfshijnë disa segmente hekurudhore ndër të cilat linja: Durrës-Rrogozhinë me gjatësi 34.64 kilometra, Shkozet-Tiranë me gjatësi 28 kilometra, Vorë-Hani i Hotit me gjatësi 119 kilometra, Rrogozhinë-Xhyrë 80 kilometra, Rrogozhinë-Fier me gjatësi 50 kilometra. Vetting ka pyetur pranë drejtorisë së Hekurudhave ku dhe është informuar se dy janë linjat që funksionojnë Shkodër-Laç dhe kthim si dhe linja Kavajë-Peçin por kjo e fundit është ndërprerë prej disa ditësh për shkak të problemeve serioze që nuk garantojnë sigurinë e udhëtarëve.

Jashtë funksionit janë linjat që përbëjnë 106 kilometra ku përfshihen linja:  Kashar-Tiranë , Xhyrë-Pogradec, Fier-Ballsh; Fier Vlorë. Pjesërisht jashtë funksionit është edhe linja Tiranë Shkodër.

Hekurudhat e para në Shqipëri janë ndërtuar në vitet 1916-1917 nga ushtria austro-hungareze. Rrjeti hekurudhor i asaj kohe quhej linjë dekovili. Rrjet fillonte nga Shkodra deri në Tiranë. Në Vorë, hekurudha degëzohej në drejtim të Durrësit–Kavajë–Rrogozhinë–Elbasan e përfundonte në Librazhd. Nga Rrogozhina, hekurudha kalonte në Lushnjë–Fier–Levan. Në Lushnjë ishte një degëzim hekurudhor që shkonte deri në Berat. Gjatë tërheqjes, trupat ushtarake austro-hungareze, I morën të gjitha materialet e rrjetit hekurudhor të dekovilit duke I transportuar drejt Austrisë nëpërmjet Portit të Durrësit dhe Shëngjinit.

Në vitin 1947 nisi ndërtimi I linjës hekurudhore Durrës–Peqin, një vit më pas linja Durrës–Tiranë. Ndërtimi i linjave të tjera hekurudhure shtrihet në një distancë 40-vjeçare, gjatë sistemit komunist.

Inagurimet e linjave hekurudhore ktheheshin në ngjarje të rëndësishme propagandistike të diktaturës…

Vit pas viti u ndërtuan linjat: Peqin–Elbasan Vorë–Laç,  Rrogozhinë–Fier, Elbasan–Librazhd, Librazhd – Përrenjas, Fier–Ballsh, Përrenjas–Guri i Kuq, Laç–Lezhë, Lezhë–Shkodër, Shkodër–Bajzë–Hani i Hotit,  Fier–Vlorë,  dhe linja e fundit Milot–Rrëshen, e cila u ndërtua u ndërtua në tetor 1987. Linjat hekurudhore u ndërtuan me punë të detyruar nga të burgosurit politik si dhe me punë vullnetare përmes aksioneve të rinisë.

Me ndryshimin e sistemit, u shtuan alternativat e udhëtimit, automjete private si dhe linjat e autobusëve. Me kalimin e viteve transporti hekurudhore u bojkotua plotësisht. Qeveritë njëra pas tjetrës, nuk e patën pjesë të strategjive të zhvillimit transportin hekurudhor. Asnjë investim për 30 vite solli një situatë degradimi të plotë të hekurudhave.

Pas braktisjes në tri dekada duket se rimëkëmbja e transporti hekurudhor është bërë pjesë e strategjive qeveritare. Një vit më parë në shkurt 2021, Qeveria Shqiptare nënshkroi kontratën për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit Tiranë- Aeroporti i Rinasit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se punimet do të përfundonin brenda një afati prej pak më shumë se dy vitesh.

Ka kaluar më shumë se një vit prej nënshkrimit të marrëveshjes kur supozohej edhe nisja e punimeve por deri tani kemi të qartë vetëm një video 3D që na tregon se si do të jetë linja hekurudhore e premtuar.

Vetting ka shkuar në terren për të parë nga afër se sa kanë avancuar punimet për rehabilitimin e hekurudhësTiranë-Durrës dhe ndërtimin e  asaj Tiranë Rinas ku duket se punimet vazhdojnë.

Por sot është data 7 maj 2022 dhe ka mbetur vetëm një vit prej afatit përfundimtar kur dhe kishte premtuar ministrja se linjat në fjalë janë funksionale. Vera e vitit të ardhshëm duket të jetë një afat i paarritshëm për të vënë në funksion këto linja.

Të tjera linja hekurudhore janë premtuar për tu ndërtuar së shpejti nga qeveria Rama.

Referuar përfitimeve që vijnë prej transportit hekurudha dhe situatës së re me rritjen e çmimeve të karburanteve që vjen prej krizës së luftës në Ukrainë, ekspertët sugjerojnë se nuk ka më kohë për të humbur. /Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!