Zbardhet dokumenti, ky është vendimi për të cilin Margjeka thotë se po e djegin

schedule12:52 - 1 Tetor, 2020

schedule 12:52 - 1 Tetor, 2020

Gjyqtarja Mimoza Margjeka e ka quajtur të ndikuar politikisht, vendimin e GJKKO për ta lënë në arrest shtëpie pas akuzave se ka marrë 6 mijë euro ryshfet për të liruar një të dënuar. Sipas saj ajo është dënuar nga gjykata pasi nuk pranoi t’i japë mandatin kryebashkiakes së Durrësit Valbona Sako.

ABC News zbardh vendimin e dhënë nga Gjykata e Durrësit me firmën e Mimoza Margjekës, sipas të cilit zgjedhjet e 30 qershorit konsiderohen “nul”. Në vendim thuhet se zgjedhjet janë të pavlefshme pasi ka marrë pjesë një parti e regjistruar jashtë afatit, duke iu referuar këtu Bindjes Demokratike.

“Sipas  vendimit nr. 251, datë 07.05. 2019t e KQZ, rezultoi se, regjistrimi i Koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”,(ASE) si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes vendore, është bërë brenda afatit 60 (gjashtëdhjetë) ditor të parashikuar, në nenin 64 të Kodit zgjedhor.

Gjykata konstaton se, vendimi nr. 230, datë 27.04. 2019 te KQZ-së  për regjistrimin si subjekt zgjedhor te Partisë “Bindja Demokratike”,  ështe marrë  në shkelje të hapur me nenin 64 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 9 të Ligjit “Për Partitë Politike”(ligji material), dhe për rrjedhojë,  konstatohet nga gjykata si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, sipas neneve 108 dhe 109 të Kodit të Procedurave Administrative

Në lidhje më këtë konstatim Gjykata arsyeton si më poshtë: Afati për të paraqitur kërkesë nga partitë politike, është përcaktuar në nenin 64 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në të cilin thuhet se: “Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”.

Bazuar në nenin 64 të Kodit Zgjedhor, në zgjedhjet e datës 30.06.2019, afati i fundit për të paraqitur kërkesë nga partite politike, për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ është përcaktuar data 23.04.2019, pasi data 21 si afat i fundit ishte ditë e Shtunë.

-Partia “Bindja Demokratike, me datën 23.04.2019 ka paraqitur kërkesë, pranë KQZ-së, për tu regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të dates 30.06.2019.

Gjykata pasi analizoi çështjen në tërësi, arriti në përfundimin se, kërkesa e kërkueses Valbona Sako për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës duhet rrëzuar”, thuhet në vendimin e datës 17 korrik.

Dy ditë më pas Partia Socialiste ribëri sërish një kërkesë për të marrë vërtetimin në Gjykatë. Por këtë radhë, kërkesa u bë nga Partia Socialiste si subjekt politik, dhe jo më nga kandidatja si në rastin e parë. Kryeministri Edi Rama i dërgoi kërkesë gjykatës së Durrësit si kryetari i Partisë Socialiste duke i kërkuar të njohë fituesen e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Bashkinë Durrës, Valbona Sako.

Sako u dorëhoq nga posti më 1 Dhjetor të vitit të kaluar duke qëndruar vetëm 4 muaj e gjysmë në detyrë. Shak u bë një deklaratë e bërë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ku u shpreh se është e kënaqur me 50 viktima, video e cila më pas u bë virale në rrjet./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!