Më snajper dhe “kallash”, kush është vëllai i Admir Muratajt që u shpall në kërkim

schedule17:16 - 21 Prill, 2022

schedule 17:16 - 21 Prill, 2022

Policia njoftoi sot se ka shpallur në kërkim Ilir Muratajn, vëllain e Admir Muratajt të vrarë gjatë grabitjes së Rinasit pasi iu gjetën armë të ndryshme në shtëpi. Burime zyrtare bëjnë me dije se Ilir (Can) Muratajt, 53 vjeç iu gjet një kallashnikov si edhe një snajper, krahas fishekëve.

Lexo edhe: Me snajper dhe “kallash”, shpallet në kërkim vëllai i Admir Muratajt

Por, kush është Ilir Murataj?

Ai u bë i njohur për publikun tre vite më parë, kur vëllai i tij Admir Murataj u vra gjatë grabitjes së Rinasit, ku një grup personash u futën në pistë dhe morën nga barku i avionit rreth 4 milion euro.

Ilir Murataj njihet si Can Murataj dhe është 53 vjeç. Në kohën kur u vra vëllai ai u pa pranë Mjekësisë Ligjore duke kërkuar marrjen e trupit të tij dhe kryerjen e shërbimeve të fundit.

Ai bëri disa deklarata të bujshme në atë kohë, fill pas varrimit duke lënë të kuptohej se vëllain mund t’ja kishin vrarë të tjerë dhe jo policia, megjithatë, të paktën publikisht ato deklarata mbeten aty.

Në mars të vitit të shkuar Can Murataj paditi në gjykatë prokurorin Enedi Nakuçi për “shpërdorim detyre” pasi sipas tij nuk ishte bërë asnjë hap para në drejtim të zbardhjes së vrasjes së vëllait të tij, Admirit në prill të vitit 2019 gjatë grabitjes së Rinasit. Më herët, familja kërkoi të dinte edhe emrat e policëve të FNSH-së që ishin pjesë e grupit që iu përgjigjen alarmit të parë për grabitje në Rinas.

Grabitja e Rinasit

Në prill të vitit 2019, një grup personash me në krye Admir Muratajn dhe Talo Çelën, Eldi Çalën, Klement Çalën dhe të tjerë u futën në pistën e Rinasit duke marrë nën kërcënimin e armëve rreth 4 milion euro nga barku i avionit të kompanisë “Austrian Airlines”, të cilat po ngarkoheshin për t’u nisur në drejtim të Austrisë.

Grabitja zgjati më pak se 2 minuta dhe në momentin e daljes nga pista e Rinasit grupi i pikas nga forcat e FNSH dhe mes tyre u shkëmbye zjarr. Gjatë këtij shkëmbimi zjarri pretendohet të jetë vrarë Admir Murataj, vëllai i Can Muratajt të shpallur sot në kërkim. Më pas policia arrestoi të gjithë grupin e grabitësve, përveç Talos Çelës që sot endet i lirë.

Deklarata e Can Muratajt, 24 orë pas vrasjes së vëllait, 10 prill 2019

Njoftimi i policisë

Tropojë

Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen një armë zjarri automatik, një pushk tip snajper, një sasi municioni luftarak, fara të dyshuara narkotike kanabis, dylbi dhe elektrik dore.

Shpallet në kërkim 53-vjeçari që i posedonte.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një rast të mbajtjes pa leje të armëve, në fshatin Çerem, strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, kanë organizuar punën dhe ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. M.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, pushk tip snajper, një sasi municioni luftarak, fara të dyshuara narkotike kanabis, dylbi dhe elektrik dore.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e pronarit të banesës, shtetasit I. M., 53 vjeç, banues në fshatin Çerem, Tropojë.

Materialet i hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!