Me sirena ndezur duke alarmuar Tiranën pa urgjencë: Si i ndëshkon Kodi Rrugor shoferët e autoambulancave

schedule14:51 - 5 Janar, 2021

schedule 14:51 - 5 Janar, 2021

36 autoambulanca përshkuan bulevardin “Zogu I” gjatë paraditës së sotme me sirena të ndezura, të vendosura pas njëra-tjetrës duke shkaktuar habi, por edhe shqetësim tek qytetarët, të cilët nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte.

Rregulli e do që kur autoambulanca ndez sirenat, të gjitha makinat në rrugë hapin krahun duke i dhënë përparësi asaj, por si duhej vepruar në rastin kur në rrugë nuk ishte një e tillë, por plot 36 autoambulanca që mbanin sirenat ndezur gjatë gjithë rrugës.

Në këto kushte, disa shoferë e gjetën zgjidhjen duke parkuar anash deri sa të kalonin të gjitha, ndërsa kalimtarët ndaluan për të kuptuar se çfarë ishte gjithë kjo urgjencë.

Për fat të mirë, nuk bëhej fjalë për ndonjë fatkeqësi që kërkonte angazhimin e një numri kaq të madh autoambulancash.

Qytetarët e habitur do të kuptonin nga rrjetet sociale dhe më pas nga mediat online se 36 autoambulancat që kaluan në rrugët e kryeqytetit po shkonin në qendër të Tiranës për t’u prezantuar si forca e re e Urgjencës Kombëtare në shërbim të tyre.

Mirëpo, pavarësisht mirëkuptimit ose jo që mund të kenë qytetarët në lidhje me përdorimin e sirenave nga autoambulancat pa patur të sëmurë brenda, Kodi Rrugor tregohet shumë më i ftohtë dhe i rreptë në këto raste.

Kodi e konsideron mbajtjen e sirenës ndezur si sinjali që i detyron përdoruesit e tjerë të rrugës që t’i japin përparësi autoambulancave, zjarrfikëseve apo makinave të policisë, të cilat mund lëvizin pa respektuar semaforët apo shenjat e qarkullimit rrugor.

Lexo edhe: 36 autoambulanca, me sirena ndezur në qendër të Tiranës, Rama: Shpëtuam nga karakatinat e PD-LSI

Por, çfarë ndodh kur autoambulancat, makinat e policisë apo zjarrfikëset nuk kanë urgjencë, por sërish i ndezin sirenat?

Neni 175 i Kodit Rrugor rregullon pikërisht situatën e mësipërme duke parashikuar një gjobë të mirë për shoferët e makinave të policisë apo autoambulancave që mbajnë sirenat ndezur pa shkak.

Për shoferët shkelës parashikohet një gjobë nga 5 mijë deri në 50 mijë lekë. Madje, në rastet flagrante, gjoba mund të shoqërohet edhe me masën shtesë të heqjes së patentës nga 6 deri në 12 muaj.

Lajmi i mirë është se Urgjencës Kombëtare i shtohen edhe 36 automabulanca të reja, ndërsa lajm i keq është fakti se policia nuk zbatoi ligjin me shoferët e ambulancave që shkelën Kodin Rrugor.

Neni 175 i Kodit Rrugor
Përdorimi i sistemeve zanore shtesë të alarmit dhe, kur mjetet janë të pajisura, edhe me sisteme shtesë të sinjalizimit pamor e me dritë vezulluese blu u lejohet drejtuesve të automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë ose zjarrfikëseve, atyre të  utoambulancave, vetëm për përmbushjen e shërbimeve urgjente tëinstitucionit. Në kryqëzime të drejtuara policët e trafikut marrin masa për lejimin e menjëhershëm të kalimit të mjeteve të mësipërme.

2. Drejtuesit e mjeteve të përmendura në pikën 1, gjatë përmbushjes së shërbimeve urgjente të institucionit, kur përdorin së bashku sistemin zanor shtesë të alarmit dhe atë të sinjalizimit pamor me dritë vezulluese blu, nuk janë të detyruar të zbatojnë detyrimet, ndalimet dhe kufizimet në lidhje me qarkullimin, sinjalizimin rrugor dhe normat e sjelljes në përgjithësi, me përjashtim të sinjalizimeve të policit të trafikut, por gjithmonë duke mos sjellë rrezik për vete dhe për të tjerët.

3. Cilido që gjendet në rrugën, e cila përshkohet nga mjetet e përmendura në pikën 1, ose në rrugë që bashkohen në afërsi të daljeve në të parën, sapo të dëgjojë sinjalin zanor shtesë të alarmit, ka për detyrë të lërë të lirë kalimin dhe, kur është e nevojshme, të ndalojë.

Eshtë e ndaluar të ndiqen nga afër mjete të tilla duke shfrytëzuar progresionin e lëvizjes. Shkeljet e kësaj pike ndëshkohen me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri dyzet mijë lekë, si dhe me pezullimin e
lejedrejtimit nga 12 deri 24 muaj.

4. Cilido që, me përjashtim të rasteve të treguara në pikën 1, përdor sistemet shtesë të treguara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në 20 mijë lekë, si edhe me pezullimin e lejëdrejtimit nga 6 deri në 12 muaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!