Më shumë se 5,500 njerëz janë vrarë në Iran dhe Liban që kur shpërtheu konflikti në rajon më shumë se gjashtë javë më parë, sipas shifrave të fundit të dhëna nga autoritetet lokale.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha sot se të paktën 2,167 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në vend që nga 2 marsi, me të paktën 43 vdekje që kanë ndodhur në 24 orët e fundit. Të paktën 172 fëmijë janë midis të vrarëve, si dhe 91 punonjës shëndetësorë.
Izraeli filloi sulmet ndaj atyre që i quan objektiva të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban pak më shumë se gjashtë javë më parë dhe ka vazhduar të kryejë sulme pas armëpushimit aktual midis Iranit dhe SHBA-së.
Të paktën 3,375 persona janë vrarë gjithashtu në Iran që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan sulmet ajrore ndaj vendit në shkurt, raportoi të dielën media shtetërore iraniane, Islamic Republic of Iran Transmeting (IRIB).
Të mërkurën, Irani kërcënoi se do t’i rifillojë sulmet në rajonin e Gjirit nëse bllokada rrezikon sigurinë e anijeve dhe tankerëve iranianë të mallrave, duke thënë se kjo do të përbënte shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Lufta me Iranin, e cila praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, ka shkaktuar tronditje në çmimet globale të energjisë, ndërsa ndalimi i dërgesave të mallrave të tjera me vlerë miliarda dollarë që kalojnë nëpër këtë rrugë të ngushtë detare ka kërcënuar ekonomitë në mbarë botën.


