Më shumë se 2,000 fëmijë në Francë janë të detyruar të flenë në rrugë, sipas UNICEF Francës dhe Federatës së Aktorëve të Solidaritetit (FAS).
“Është e papranueshme që shoqëria t’i trajtojë fëmijët e saj në këtë mënyrë. Jemi shumë, shumë të shqetësuar që situata po përkeqësohet çdo vit, është një tragjedi kur dimë për pasojat katastrofike si për shëndetin mendor ashtu edhe për arsimin”, tha përfaqësuesja e OKB-së në Francë Adeline Hazan.
Ajo vlerësoi se bëhet fjalë për “shkelje flagrante të parimeve të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës”, të cilën e ka ratifikuar Franca.
“Sa i përket adoleshentëve, ata janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit kur jetojnë në rrugë. Është koha që fëmijët, veçanërisht fëmijët e pastrehë, të bëhen prioritet për qeverinë në Francë,” tha Hazan.
Sipas barometrit të FAS, të paktën 2043 fëmijë përfshirë 467 nën moshën 3 vjeç kanë mbetur natën nga data 19 deri më 20 gusht pa zgjidhje për akomodim me kërkesë të familjes së tyre, dërguar në numrin 115, i cili është menduar për ndihmë emergjente për të pastrehët.
Kjo është më pak se 3,000 fëmijë të regjistruar në tetor 2023, por është një shifër e paprecedentë për periudhën e kthimit në shkollë, me rritje 3 për qind në gusht 2023, 27 për qind në 2022 dhe 120 për qind në vitin 2020.
Situata arriti një pikë të re kthese këtë verë në Lyon, ku disa gra u gjendën të pastreha me të porsalindurit e tyre./abcnews.al