Më shumë mbështetje për fermerët/Kreu i Këshillit të Agrobiznesit: Eksportet janë rritur, bujqësia ka nevojë për para shtesë

schedule14:32 - 11 Nëntor, 2024

schedule 14:32 - 11 Nëntor, 2024

TIRANË- Rreth 15 miliardë lekë do të jetë mbështetja nga buxheti për bujqësinë vitin që vjen.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj prezantoi projektligjin në Komisionin e  Veprimtarive ndërsa tha se në vëmendje do të jenë investimet për mbrojtjen nga përmbytjet dhe më shumë mbështetje direkte për fermerët.

Aktualisht për skemën kombëtare të investimeve janë dorëzuar 400 aplikime. Kreu i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj, i ftuar në “Money Report” u shpreh se sektori i bujqësisë është i nënfinacuar, duke marrë parasysh potencialet e tij.

Ai theksoi se bazuar në disa analiza dhe projeksione, sektorit të bujqësisë aktualisht i duhen dhe 95 milionë euro të tjera shtesë, që të bëhet konkurruese me vendet e rajonit.

“Ne kemi përshtypjen, kemi arritur në konkluzionin se bujqësia është e nënfinancuar duke e krahasuar me minimumet e veta. Në një analizë që kemi bërë, dhe disa sondazhe, bujqësisë I nevojiten edhe 95 milionë euro të tjera, në mënyrë që të krahasohet me konkurrentët e vendeve të rajonit, sepse me vendet e BE nuk krahasohemi dot”, u shpreh ai.

Ai theksoi se duhen më shumë fonde dhe një shpërndarje aty ku është nevoja më e madhe.

“Duhet një shpërndarje më e mirë. Kam vërejtje për sasinë e buxhetit.”, tha ai.

Gjatë diskutimit në studio, Rrapaj tha se vitet e fundit janë shtuar eksportet e produkteve shqiptare, madje disa prej tyre kanë arritur të hyjnë dhe në tregjet e Bashkimit Evropian.

Në këtë pikë shton ai, Shqipëria për ta mbajtur ritmin duhet patjetër  të rrisë standardin e cilësisë së produkteve.

“Eksportet po njohin rritje vitet e fundit. Trendi i rritjes së eksporteve do vijojë. Eksportet janë dhe drejt vendeve të Bashkimit Evropian.”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!