Më shumë kredi për turizmin/ Dyfishohen huatë për tregtinë dhe turizmin gjatë këtij viti

schedule15:10 - 22 Gusht, 2024

schedule 15:10 - 22 Gusht, 2024

Zhvillimi i turizmit i ka dhënë shtysë kreditimit të bizneseve që lidhen me këtë sektor.

Sipas raportit të të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi tendencat e kreditimit vërehet se bankat kanë rritur financimin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë, por rritja më e lartë vihet re në sektorin e tregtisë. Huaja e aprovuar  për këtë sektor u rrit me 13%, dyfishi i normës së rritjes të vërejtur në pjesën e dytë të vitit 2023. Brenda vetë sektorit vihet re një kontribut i ngjashëm me vitin e kaluar të degës së turizmit, dhe një kontribut i rritur nga dega e transportit. Nga të dhënat vërehet se edhe  kreditimi për sektorin e bujqësisë  që lidhet me turizmin idirekt shfaqi rritje dyshifrore prej 12%. Po ashtu interesant është fakti që ka pasur rritje të mbështetjes me hua edhe për industrinë. Sipas Bankës së Shqipërisë ritmet e rritjes së  dhënies së kredive prej 10% rikthyen në terren pozitiv kontributin e këtij sektori. Brenda këtij sektori është dega e industrisë përpunuese, e cila fitoi më shumë financim nga bankat. Po ashtu, financimi i bankave për bizneset e sektorit të ndërtimit ka qenë pozitiv dhe i qëndrueshëm. Kredia për këtë sektor u rrit me 6%, një normë kjo e ngjashme me mesataren e gjashtëmujorit të dytë të vitit. Shqipëria mbetet një prej vendeve të Ballkanit që ku rritja e kredisë për biznese vijon të jetë e fortë  duke qenë një tregues i rëndësishëm I zhvillimit ekonomik.

Edhe kredia për blerje banesash apo për konsum kanë shfaqur përmirësim të normave me një rritje vjetore prej 15%, ose rreth 4 % më shumë se ajo e vërejtur në gjashtëmujorin e fundit të vitit.

Në qershor bankat kanë financuar bizneset dhe individët në vlerën e 795.6 miliardë lekëve duke u rritur me 1.6% krahasuar me një muaj më parë dhe 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!