TIRANË- Prefekti i Qarkut do të ketë më shumë kompetenca mbi drejtuesit vendorë. Qeveria ka hedhur për konsultim publike projektligjin në bazë të të cilit synohet më shumë kontroll mbi kryetarët e bashkive kryesisht në aspektin financiar.
Ndër të tjera, në draft, thuhet se prefekti i qarkut ka të drejtë të monitorojë zbatimin e projekteve me fonde nga qeveria e madje edhe të kërkojë shkarkimin te ministri në rast shkeljesh.
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici në një bisedë me “Money Report” në Abc News u shpreh se ky është një draft, i cili në hapin final pritet të përballet me korrigjime pas propozimeve që do bëjnë grupet e interesit.
“Ky është një draft-ligj dhe është në konsultim publik, dhe aktorët e ndryshëm të interesit do të përcjellin rekomandimet për ndryshime te ky draft. Ne kemi shumë pika që rekomandojmë për t’i ndryshuar. Ne i kemi bërë të qartë opsionet dhe rekomandimet tona për ndryshime”, tha ajo.
Në miratimin e projektbuxhetit për vitin 2024, qeveria shqiptare parashikon rritjen e fondeve për pushtetin vendor. Kjo masë për Farricin është një lajm i mirë. Sipas saj, qeveria shqiptare po e respekton ligjin, i cili parashikon disa rregulla për shumën që duhet të ndajë për organet e pushtetit vendor.
“Është një rritje 10.4 % nga 2023. Ligji parashikon që granti i pakushtëzuar për qeverisjen lokale është jo më pak se 1% të GDP dhe jo më e vogël se viti paraardhës. Plotësohen këto dy kushte dhe themi se është rritje e konsiderueshme. Do të ketë thjesht më shumë financa për pushtetin lokal, kryerje shërbimesh dhe rritje shërbimesh, por këto varen nga veçoritë e bashkisë se ku do e drejtojnë këtë fond”, tha ajo.
Gjatë bisedës, Farrici tha se Bashkitë duhet të bëjnë një menaxhim më të mirë të territorit të tyre, të shfrytëzojnë kapacitete që kanë dhe këto t’i përkthejnë në shtimin e të ardhurave.
“Bashkitë kanë potenciale të pashfrytëzuar dhe një menaxhim më i mirë i gjithë territorit të tij. Menaxhim i taksës së pronës, e cila nuk është një taksë që vilet në kapacitetin e duhur. Menaxhim më i mirë i resurseve natyrore dhe të gjitha këto do të çojnë në rritjen e të ardhurave të tyre”, tha ajo.