“Më premtoi 60 mijë euro, por…”, Henrik Hoxhaj “zbërthen” dy atentatet me 4 viktima: Si e njoha Nuredin Dumanin

schedule11:29 - 30 Maj, 2023

schedule 11:29 - 30 Maj, 2023

TIRANË- I pari që dëshmoi në Gjykatën e Posaçme ishte Henrik Hoxhaj, i penduari tjetër i drejtësisë, në lidhje me ngjarjet kriminale ku ai është përfshirë. Konkretisht Hoxhaj ka dhënë sqarime rreth 2 atentateve me 4 viktima të ndodhura në Durrës, përkatësisht Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt dhe vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia.

Me bluzën e Realit të Madridit veshur dhe mbiemrin e tij të stampuar në të, për 1 orë e 30 minuta ai iu përgjigj pyetjes së Prokurorisë dhe avokatëve të Altin Ndocit e Besian Xhixhës.

Ai ka treguar se si është njohur me Nuredin Dumanin, ndërsa shton se ky i fundit i kishte premtuar një shumë monetare prej 60 mijë euro, por që kishte marrë vetëm 35, pasi pjesën tjetër e kishte përftuar Elio Bitri.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Qoli, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian  Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Dumani me premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta me vete, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdiajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne, por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar për planin e vrasjes së Besmir Haxhiajt”, theksoi ai.

Gjithashtu, Hoxhaj ka dhënë sqarime edhe për atentatin ndaj vellezërve Viktor e Besmir Haxhia. Ai ka treguar se objektiv i sulmit ishte Besmiri, ndërsa nuk kishin dijeni se bashkë me të në makine ishte edhe vellai. Në vrasje ai mbante veshur rroba të OFL, qe sipas tij i kishte siguruar Nuredini në Elbasan.

“Objektiv ishte Besmiri, kur u afruam i pamë të dy, dhe Nuredini me Klevis Allën, i thanë njëri-tjetrit, qenka me vëllain. Viktori ishte rastësi. Dëgjova më pas se kishin plan tjetër edhe për atë , por jo atë ditë. Sipas Nuredinit, Klevis Alla do na njoftonte për levizjet, ndërsa ekzekutimin do e bënim ne. Alla na priste me makinën. Atë ditë mbaja veshur një jelek të OFL dhe kapele OFL, Nuredini më tha se i kishte gjetur në Elbasan. Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s’po i shkrepte arma. Kam qelluar me xhama mbyllur, Nuredinin se kam parë ç’ka bërë se nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit, Besmirin. Kam zbritur dhe mora armën tjetër se më mbaruan fishekët dhe qëllova sërish për t’u siguruar. Me Klevis Allën që ishte shofer i makinës nuk kam folur asnjë fjalë. Madje teksa më shikonte në fytyrë një moment i kam thënë “ç’ke që sheh, kthehu para”. Kapelet dhe jelekun i hodhëm rrugës dytësore në Vorë kur po ktheheshim në Tiranë me Nuredinin”, tha ai.

Hoxha identifikoi në seancë edhe Besian Xhixhën që ndodhej në seancen e se martës duke thënë se e ka njohur në Shëngjin.

“Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyem banesën e Talo Çelos. Talon as se kam takuar as njohur nga afër. Nuredini më thërriste “kudho”, asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto,se kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot. Për vrasjen e vëllezërve Haxhia Dumani më dha 30 mijë euro. Kur i thash pse kaq pak, më tha “kusho, e kam hall personal, po ta kërkoj si nder”. Gjatë bisedave dëgjova prej tij, se donte t’i vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej. Alibej dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishi qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku mbetën të vrarë vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk”, tha ai.

Nuredin Dumani edhe pse u thirr në gjykatë nuk dha deklarime, për shkak se avokatët kërkuan kohë të njihen me dëshminë e tij, të dhënë me herët pas arrestimit./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!