Me pranga në duar dhe kokainë, momenti i arrestimit të “Baronit” dhe polici i RENEA-s

schedule21:06 - 14 Maj, 2021

schedule 21:06 - 14 Maj, 2021

Anti-droga goditi ditën e sotme në Tiranë një rast brenda radhëve të saj duke arrestuar tre persona, efektivin Xhujlo Liçi me dy bashkëpunëtorë.

Policia ka publikuar pamjet e momentit kur transportohet nga makina në ambientet e drejtorisë së policisë së kryeqytetit Ded Nimani, i cili kishte më pak se një vit që kishte dalë nga burgu i dënuar për drogë, ku tashmë sërish do të kthehet në qeli për të njëjtën akuzë.

Mbi një kg kokainë, arma e efektivit të RENEA-s Xhujlo Liçi, telefonat dhe sende të tjera janë sekuestruar në momentin e ndërhyrjes së agjentëve të policisë në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës në Ndroq.

Por si u kapën?

Rreth orës e 11:12 minuta të ditës së sotme në aksin rrugor Tiranë-Durrës në rrugën e vjetër në Ndroq, në ambientet e jashtme të një lokali, policia gjeti të parkuar automjetin Benz me targa AA463TO.

Automjeti drejtohej nga Luan Gaci dhe po në këtë vend afrohet dhe parkohet automjeti tjetër po Benz me targa AB 892 BZ ku ndodheshin 2 persona, drejtues ishte Xhuljo Liçi dhe pasagjer ishte Ded Ninami.

Këta dy të fundit dalin nga automjeti duke shkuar tek bagazhi i makinës së tyre.

Në atë moment u afrohet edhe Luan Gaci, të tre personat hapin bagazhin e makinës dhe Xhuljo Lici nxjerr një pako në formë drejtkëndore e mbështjellë me plastmas transparent dhe brenda saj dyshohej të kishte lëndë narkotike të llojit kokainë të cilën po e mbante në dorë në prezencë të Nimanit dhe Gacit duke biseduar me ta.

Pikërisht në këtë moment është bërë ndërhyrja nga ana e policisë dhe Liçi ka hedhur pakon në tokë. Pakoja me droge kishte mbishkrimin “Baron” për këtë arsye operacioni i policisë u kodua me këtë emër./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!