Ka përfunduar protesta e thirrur nga Sali Berisha para parlamentit. Qytetarët qëndruan për gati dy orë, ndërsa herë pas herë pati edhe tensione e përplasje me policinë.
Protestuesit në disa momente hodhën në drejtim të efektivëve lëndë piroteknike, shashka dhe sende të forta, e për pasoja mbetën të lënduar 3 policë.
Një prej tyre mori dëmtime në sy, ndërsa dy të tjerët u dëmtuan në duar edhe në këmbë, por fatmirësisht për të tre lëndimet nuk kanë qenë serioze.
Pas përfundimit të protestës, policia ashtu si në 11 shkurt rrethoi zonën me shirit, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar.
Nisja e protestës:
Protesta ashtu siç ishte paralajmëruar nisi rreth orës 17:00, ndërsa Berisha doli në këmbë nga “selia blu” pak para kësaj ore për të marrë pjesë në seancën plenare.
LEXO EDHE: Protesta/ Berisha del nga “selia blu”, në këmbë drejt parlamentit
Pak pas fillimit të seancës, seanca u pezullua për disa minuta për shkak të një problemi teknik, ndërsa jashtë Kuvendit nisën tensionet e para.
Fillimisht ishin 3 deputetët e përjashtuar të Partisë Demokratike, Albana Vokshi, Luan Baçi dhe Luçiano Boçi, të cilët u përplasën me gardën me pretendimin se masa e dhënë ndaj tyre nuk përfshinte mos futjen e tyre në parlament, por vetëm heqjen e të drejtës së fjalës.
LEXO EDHE: Kuvendi në errësirë/ Digjet pajisja UPS, ndërpritet energjia elektrike
Një pretendim që nuk qëndronte ky pasi sipas rregullores së parlamentit, një masë e tillë nënkupton edhe mosprezencën fizike në parlament.
Vazhdimi i protestës:
Pasi protestuesit panë në “led wall” skenën e ofruar nga deputetët, nisën tensionet me policinë duke tentuar të çanin kordonin, por nuk ia arritën.
Në podium nisën ta mbaheshin fjalimet para dhe ku herë pas herë transmetohej ajo ç’ka ndodhte në ambientet e brendshme të parlamentit, me Berishën që bllokonte foltoren dhe futej live në “facebook” dhe Nokën që i binte pa ndalim bilbilit duke bërë zhurmuesin, ndërsa tensionet mes turmës dhe policisë u rritën.
Me Luçiano Boçin në krye, protestuesit u përplasën fizikisht me policinë, duke hedhur ndaj tyre lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke lënduar 3 efektivë.
LEXO EDHE: VIDEO/ Tensionohet protesta, hidhen tymuese, përplasje me policinë
Më vonë protestës iu bashkua edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Përfundimi:
Pas përfundimit të seancës plenare, e cila u mbyll me përjashtimin e Flamur Nokës, Berisha fillimisht foli për mediat në dalje të kuvendit, pak metra nga protestuesit dhe më pas mbajti një fjalim të shkurtër në podium para tyre.
LEXO EDHE: Protesta, Berisha në podium: Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti
Në fjalën e tij ish-kryeministri u shpreh se prania e qytetarëve ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për ta dhe kauzën e tyre , ndërsa fjalën e fundit e tha nga shkallët e “selisë blu” ku theksoi se beteja për revolucionin demokratik do të vazhdojë deri në fitore, duke lënë të keptohet për një protestë të radhës të enjten.r.t/abcnews.al