Me numra apo emra? Kolegji vendos përfundimisht si do të jetë fleta e votimit në 25 Prill

schedule19:22 - 4 Prill, 2021

schedule 19:22 - 4 Prill, 2021

Në 25 Prill shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre në një fletë votimi me numra dhe jo me emra.

Kolegji Zgjedhor, që është shkalla e fundit pasi dëgjoi palët, mbrëmjen e sotme vendosi që kandidatët në fletën e votimit të identifikohen me numra sikur e kërkonte Partia Socialiste, duke rrëzuar pretendimin e PD-së, që të ishte me emrat përkatës.

Fleta e votimit per zgjedhjet e 25 prillit

Por si arritëm në Kolegj?

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi që fleta e votimit të ishte me emra. Partia Socialiste e dërgoi cështjen në KAS, i cili dje pranoi kërkesën e shumicës qeverisëse duke rrëzuar PD-në, që e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor. Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga Asim Vokshi, Esmeralda Ceka, Gentian Media, Manjola Xhaxho dhe Alma Kolgjoka.

Pretendimet e palëve

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridjan Salianji u shpreh se fleta e votimit që kërkon PD me emra është si gazetë për zgjedhësin duke ia vështirësuar votimin. “Fleta e Tiranës ka mbi 500 emra. Është e ngarkuar.  Nuk shkohet në votim për të lexuar gazetë, por procesi duhet të jetë sa më i thjeshtë” tha ai. (lexo ketu).

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në Kolegjin Zgjedhor Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me vendimin e trupës që vendosi që fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit të jetë me numra dhe jo me emrat e kandidatëve për deputetë. E ndërsa akuzoi Edi Ramën, ai tha se kjo nuk ka për ta ndaluar ndryshimin në 25 prill.

Është ai që ka turp nga kandidatët e tij dhe kërkon ti fshehë, është i turpëruar nga lista që paraqet si alternativë. Na vjen keq, pasi koalicioni i PD ka listën më të mirë, por zgjedhësit nuk do të kenë shansin ti shohin në fletën e votimit, pavarësisht se i njohin mirë emrat dhe staturën.

Por çfarë do lloj truku zgjedhor nuk ka për ta ndalur ndryshimin që ka për ta ardhur dhe që do i prijë PD-ja me aleatët” tha ai./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!