Skënderbeu mori një tjetër humbje në kampionatin shqiptar, këtë herë ishte Tirana që e mposht me 4 gola në Korçë.
Një disfatë që tregon se skuadra e Skënder Gegës e ka marrë rrugën për në Kategorinë e Parë, paçka se matematika akoma se ka thënë fjalën e saj të fundit.
Vetëm 20 pikë në 28 javë të zhvilluara, tregojnë se tek Skënderbeu kanë filluar edhe makthen e rënies, një skuadër që para disa vitesh cilësohej si “kombëtarja” e dytë e shqiptarëve në europë, tashmë lufton për mbijetesën.
Pas humbjes 4-0 me Tiranën, kanë reaguar të mllefosur tifozët e Skënderbeun duke bërë përgjegjës presidentin. Gjithçka lidhet me dënimin nga UEFA për trukim ndeshjesh, ndërsa tifozët tregojnë historinë e ngritjes dhe dështimit.
“Fajin e gjithë kësaj situate, ta gjejmë tek vetja. Fajtori kryesor për të gjitha këto është një. Është presidenti. Skënderbeu u udhëhoq nga njerëz që i verboi paraja, pisllëqet e trukimet. Nëqoftëse ka një fajtor që ndodhemi këtu, janë pikërisht këto pisllëqe që janë bërë në kurriz të qytetit e sportdashësve Korçar. Ju kujtohen miqësoret e fazave përgatitore që vetëm përgatitore nuk ishin. Ju kujtohet ndeshja e famshme Crusaders-Skënderbeu?
Skënderbeu e mbylli kualifikimin që ndeshjen e parë dhe kundërshtari ishte i nivelit të superligës sot, shkon e luan në Irlandë vetëm për lloto, kur ti ke fitimet e UEFA-s për turin e kaluar? Atëherë çfarë faji na kanë të tjerët? Vet i bëri presidenca këto. Po sa e sa ndeshje në superligë të toleruara, prishje gare e hapur.. një turp gjithë këto vite që do i ndjekë gjithmonë ish-ët e Skënderbeut që u larguan nga Korça jo vetëm me miliona, por e me dekorata.
Ku janë ata sot? Pse nuk dhanë kurrë llogari bashkë me presidentin për dënimin e UEFA-S? A mos vallë ishin tifozët e Skënderbeut në fushë? Atë ç’ka bëtë në kurriz të qytetit e pasionit bardhekuq, nuk do e harrojmë kurrë. Skënderbeu do vazhdojë të ekzistojë, sepse ky nuk është fundi, por hakat e korçarëve ju zënshin të gjithë ju që luajtët pisët ndaj një qyteti të tërë”, shkruhet në postimin e tifozëve korçarë.
/f.a/abcnews.la