Jose Mourinho vendosi të rikthehet në Serie A pas 11 viteve. Me Interin shkroi historinë dhe vijon të mbetet një idhull në pjesën zikaltër të Milanos. “Special One” do e shohim në pankinën e Romës duke filluar sezoni i ardhshëm.
Ambient i nxehtë dhe plot pasion, por aspak i lehtë për t’u përballuar. Gjithsesi, tekniku nga Setubali s’e njeh frikën dhe mezi po pret të nisë aventurën me Romën. Legjenda Francesco Totti ia bëri qejfin ditën e sotme me fjalët e tij.
“Kemi marrë trajnerin më të mirë në botë. A do kisha dashur të stërvitesha nga Jose Mourinho? Kur kam qenë më i ri, po“, u shpreh kapiteni i përjetshëm, teksa ka reaguar menjëherë 58-vjeçari luzitan.
“Faleminderit për fjalët e bukura Francesco, sa keq që erdha këtu katër vite me vonesë… Do të ishte kënaqësi e madhe të të stërvisja ty“, shkruan Mourinho në rrjetet sociale. /abcnews.al