Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Me grumbullimin e vaksinave vetëm për vete, SHBA-ja po e minon udhëheqjen e saj globale

schedule14:14 - 8 Mars, 2021

schedule 14:14 - 8 Mars, 2021

Nga Mihir Sharma, Bloomberg

Ata amerikanë që brohoritën pas njoftimit të presidentit Joe Biden javën e shkuar se SHBA-ja do të ketë mjaftueshëm vaksina për të vaksinuar çdo qytetar deri në fund të korrikut, mund të dëshirojnë të vërejnë heshtjen e ftohtë me të cilën e priti këtë lajm pjesa tjetër e botës.

Triumfalizmi i Biden ishte më shumë sesa i mërzitshëm, duke pasur parasysh faktin që SHBA-ja, së bashku me shumicën e vendeve të tjera të pasura, kanë zgjedhur në thelb që të përvetësojnë vetëm për vetë tregun e vaksinave që janë jashtëzakonisht të nevojshme diku tjetër.

Të hënën e shkuar, presidenti meksikan i kërkoi Biden që të ndajë me vendin fqinj disa nga vaksinat amerikane, duke premtuar t’ia kthente nderin,kur Meksika,vendi që ka numrin e tretë më të lartë të vdekjeve nga Covid-19 në botë, të marrë dërgesat e veta disa muaj më vonë.

Kur u pyet nëse Biden do ta pranonte kërkesën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj me një jo të prerë. Bota kishte shpresuar se “Amerika e Para” do të mbaronte kur Biden të zëvendësonte ish-presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Por kjo nuk ka ndodhur. Përpara se të shqyrtojë ndarjen e një pjese të furnizimeve të saj me pjesën tjetër të botës, SHBA-ja ka ndërmend qëtë vaksinojë çdo amerikan që dëshiron një vaksinë. Shtëpia e Bardhë e Biden ka ofruar 4 miliardë dollarë deri në vitin 2022 për fondin e nismës COVAX, që blen vaksina për vendet e varfra.

Por këto para nuk do të ndihmojnë shumë tani për tani, nëse nuk ka vaksina të disponueshme në treg. Në janar të këtij viti, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa kritikoi ashpër nacionalizmin e vaksinave:“Vendet e pasura të botës, blenë shumë doza të vaksinave nga zhvilluesit dhe prodhuesit e këtyre vaksinave, dhe disa vende kanë blerë madje 4-5 herë më shumë vaksina sesa kanë nevojë popullatat e tyre… Në fillim synimi ishte grumbullimi i këtyre vaksinave, ndërsa tani kjo po bëhet për të përjashtuar vendet e tjera të botës, që kanë më shumë nevojë për to”.

Ramaphosa nuk po kërkonte vaksina falas. Ai thjesht donte që Perëndimi të ndalonte së shtuari furnizimet e veta, në mënyrë që dozat të mund të bliheshin nga Ekipi Afrikan i Blerjes së Vaksinave. Askush nuk e mohon që është politikisht e vështirë për çdo udhëheqës të dërgojë vaksina jashtë vendit, para se të vaksinohet çdo qytetar në vend.

Por ndihma për të vënë nën kontroll pandeminë në të gjithë botën dhe me të njëjtën shpejtësi, nuk është vetëm veprimi moral i duhur, por edhe më i arsyeshmi. Ajo minimizon numrin e të vdekurve nga Covid-19, dhe ndihmon në zvogëlimin e mundësisë së shfaqjes së varianteve që janë akoma më virulente sesa origjinali.

Po ashtu, është një politikë e mirë. Gjurmuesi i vaksinave i Bloomberg, ilustron saktësisht se sa jashtë normës ka qenë sjellja e SHBA-së. Në SHBA është vaksinuar 24 për qind e popullsisë. Ndërkohë, Kina ka vaksinuar vetëm 3.7 për qind të popullsisë së saj, Rusia 2.7 për qind, ndërsa India 1.1 për qind.

E megjithatë, ndryshe nga Biden, udhëheqësit e Indisë, Rusisë dhe Kinës kanë filluar qëtë dërgojnë jashtë vendit miliona doza. Këtë javë, gjysmë milioni doza të vaksinës Oxford / AstraZeneca mbërritën në Karaibe nga India. Rreth 2 milion doza i janë dhënë Meksikës, ndërsa pjesa tjetër mbërrin këtë muaj.

Argjentina do të marrë 20 milion doza të vaksinës ruse Sputnik-V të deri në fund të marsit. Kili ka porositur 10 milion doza të vaksinës Pfizer, por deri tani në vend kanë mbërritur vetëm 150 mijë doza. Ndaj autoritetet janë detyruar të nisin vaksinimet me 4 milion dozat e vaksinës kineze Sinovac, dhe që atëherë ky vend është vlerësuar për menaxhimin e njërit prej programeve të vaksinimit më efikase në botë.

Në mënyrë të natyrshme, Kina, Rusia dhe India, i kanë dhënë prioritet të gjithë qytetarëve të tyre më të prekshëm. Por gjithashtu ato po i japin pjesës tjetër të botës shansin për të mbrojtur ata që janë më të rrezikuar. Disa nga dërgesat e tyre mund të jenë në interesin e tyre gjeo-strategjik, por jo të gjitha.

Ndërkohë, SHBA-ja duket se synon që të vaksinojë 25 vjeçarët e saj para 80 vjeçarëve në vendet që janë aleate më të. Në mesin e shumë urdhrave ekzekutivë që nxitoi të firmosë Biden që në ditët e para si president, pati një përjashtim të madh:Ndalimin e Trump për eksportet e vaksinave mbeti në fuqi.

Shumë analistë po pyesin tani se çfarë lloj superfuqie shpreson qëtë jetë SHBA-ja. Si mundet që SHBA-ja të rimarrë mantelin e udhëheqjes globale nëse Biden as nuk popërpiqet të ketë një qëndrim më bujar ndaj pjesës tjetër të botës?

Në lidhje me këtë çështje, a mund të quhen vërtet demokratët e rinj “progresistë” nëse janë më të aftë në konfirmimin nga Senati të menaxhimit të buxhetit, sesa në lidhje me forcimin e ndikimit të SHBA-së në një pandemi globale?

Që të dyja partitë e mëdha në SHBA, duken të pa interesuara si për moralin, po ashtu dhe për logjikën, dhe kur është fjala për vaksinat,dërgojnë një mesazh negativ. Asnjë vend me politika kaq të fokusuara tek vetja, nuk mund të shpresojë që ta udhëheqë botën gjatë shekullit XXI. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!