Kjo është një ditë e zakonshme për Bujar Kasharajn. 78 vjeçari dhe bashkëshortja e tij kujdesen çdo ditë për mbesën e vogël, 1 vjeç e gjysmë.
Vajza iu ka besuar rriten e fëmijës së saj. Çifti i pensionistëve thotë se mbesa e vogël i ka rinuar dhe dashuria që kanë për të është e pakufishme.
“E kemi gocën e vajzës. Më mirë është me ne, kujdesi është më i madh. Në pamundësi edhe mund të marrësh dado. Rritet me mirë me dashurinë tonë”, shprehet një i moshuar.
Edhe gjyshër të tjerë thonë se me ta fëmijët rriten më të sigurt.
“Të dy pleqtë pas tij rrimë, e çojmë në çerdhe dhe pastaj në shtëpi. Kur jemi ne pse të marrim dado. Ata janë në punë s’ja dalin dot”, tregon në një intervistë për ABC News një gjyshe që kujdeset për nipërit e saj.
“Është zgjedhje. Ne gjyshërit mirë i rrisim, por edhe i përkëdhelim çikë, ndërsa dado është më e rreptë”, shprehet një tjetër.
Dorina Fagu, kujdeset çdo ditë për këtë vogëlushe 8 muajshe, e punësuar nga prindërit e foshnjës. Thotë se ndihet sikur rrit fëmijën e saj.
“Unë vetëm nuk e kam lindur, e dua shumë, shiko sa e mirë është. Jam kujdesur edhe për vëllain e saj, tani ai është 3 vjeç dhe shkon në kopsht”, thotë Dorina Fagu.
Vetë prindërit pranojnë se dashuria që u japin gjyshërit është e pakrahasueshme, megjithatë fëmija ka nevojë për një institucion përkujdesje.
“Normalisht çerdhja duhet sepse aty merr edhe disiplinën. Unë e kam çuar në çerdhe sepse nuk i kisha gjyshërit në shtëpi? Po nëse do t’i kishe? Dashuria e gjyshërve është pa kushte, por gjyshërit i llastojnë, patjetër që duhet çerdhja”, shprehen prindërit.
Në familjen tradicionale shqiptare gjyshërit kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në rritjen e nipërve dhe mbesave. Përkushtimi dhe dashuria e tyre është e pazëvendësueshme. Por çfarë është më e mira për fëmijën, të rritet me gjyshërit, dado apo ne çerdhe?
“Shërbimi dhe kujdesi i gjyshit është më i besuar në raport me dadot dhe shërbimet e kujdesit social. Gjyshërit janë një institucion më vete, të ngrohtë dhe të sigurt”, thotë Gëzim Tushi.
Ndonëse familja shqiptare është modernizuar roli i gjyshërve vijon të jetë i pazëvendësueshëm.
“Gjyshërit ne familje janë akoma një aset i dobishëm që e spostojnë nevojën për kujdesin jashtë shtëpisë, por në familjen moderne kur nuk janë gjyshërit të pranishëm janë të detyruar t’u drejtohen institucioneve apo dadove.”
Për sociologët kujdesi i gjyshit për fëmijët ka anët pozitive dhe negative.
“Të jeni të sigurt se raporti i gjyshit me nipërit është një raport më i mirë sesa me prindërit e tyre. Gjyshërit janë më tolerantë. Por është një çështje e diskutueshme. Gjyshi nuk është institucion i disiplinës. Kurse dado, çerdhe, kopshti janë të disiplinës dhe aty ka rregull, program që profesioni i gjyshit sado të përpiqet nuk i zbaton dot”, thekson më tej sociologu Gëzim Tushi.
Sipas sociologëve, kujdesi i gjyshërve ndaj nipërve dhe mbesave është profesioni i fundit në jetë i njeriut dhe më i dashuri. Kjo marrëdhënie sjell më së shumti përfitime tek të vegjlit që marrin dashuri dhe përkujdesjen që nuk do ta gjenin në institucione sociale, ndërsa të moshuarit i mban aktivë dhe dinamikë.