Shqipëria vazhdon rregullisht fushatën e vaksinimit për Covid-19 dhe një nga vaksinat më të aplikuara në vendin tonë është ajo kineze, Sinovac. Në vendin tonë kanë mbërritur qindra mijëra doza të kësaj kompanie, teksa është injektuar te disa shtresa të shoqërisë, përfshirë edhe gazetarë dhe policë.
Duke qenë se ende nuk është njohur për përdorim nga disa nga shtetet kryesore të globit, kjo vaksinë ka hasur në disa konktestime në vendin tonë për ekfektshmërinë dhe rrezikun hipotetik të saj. Gjithsesi me lajmin e fundit, një pjesë e mirë e kritikëve do binden për sigurinë e Sinovac.
Nga Argjentina vijnë lajmet se Lionel Messi dhe yjet e tjerë të kombëtares së Argjentinës do të vaksinohen pikërisht me Sinovac. Në verë organizohet Copa America dhe kushti i CONMEBOL (Konferderata e Amerikës së Jugut) është që të gjithë stafet dhe lojtarët e kombëtareve pjesëmarrëse të marrin dozat e nevojshme të Sinovac.
Presidenti i CONMEBOL, Alejandro Dominguez ka folur për Marca dhe është shprehur: “Kjo u jep lojtarëve tanë dhe të gjithë mjedisit një mjet mbrojtës më shumë, sepse të gjithë e dimë që një ekip nuk përbëhet vetëm nga lojtarë, i gjithë stafi teknik dhe organizativ do të ketë shansin të vaksinohet”.
Ky është kusht i prerë nga organizatorët dhe pritet që të vaksinohen të gjithë yjet latinë, përfshirë edhe kombëtaren e Brazilit apo Uruguait. CONMEBOL është përgatitur për dhe ka blerë 50 mijë doza të vaksinës më të përdorur në vendin tonë. Mbetet të shihen zhvillimet e fundit sepse vaksina Sinovac nuk është autorizuar për përdorim në Argjentinë, por kjo konsiderohet si pengesë e vogël.
Vaksinimi do duhet të nisë sa më shpejt në mënyrë që lojtarët dhe stafet të kenë marrë të dyja dozat e vaksinës para nisjes së turneut. Ky vendim ka marrë edhe kritika, duke qenë se lojtarët e kalojnë lehtë virusin dhe pretendohet se nuk kanë nevojë të vaksinohen sepse nuk u rrezikohet jeta. /abcnews.al