“Më e lehtë të luaja tek Arsenali, futbolli i Guardiolës shah dhe hapësira”

schedule11:37 - 4 Maj, 2020

schedule 11:37 - 4 Maj, 2020

Thierry Henry ka qenë një sulmues magjik dhe ka fituar shumë në karrierën e tij, me klubet dhe kombëtaren e Francës. 42-vjeçari kaloi tetë sezone të paharrueshme tek Arsenali, aty ku ishte ylli i skuadrës së Wenger dhe idhulli i tifozëve londinezë.

Në verën e vitit 2007, pas 226 golave të shënuar me skuadrën angleze, u transferua te Barcelona, qëndroi tre sezone te kalatanasit dhe fitoi 7 trofe gjatë asaj kohe, një kupë më shumë sesa fitoi te “Topçinjtë”. Sot drejton si trajner kanadezët e Montreal Impact dhe ka bërë një krahasim midis dy ish-skuadrave.

Tek Arsenali, unë mund të lëvizja ku të doja në sulm, njësoj si ti kur luaje me Diego Forlan. E kam patur shumë të lehtë, sepse luaja përkrah Bergkamp ose Kanu. Atyre u pëlqentë të qëndronin në qendër të sulmit, diçka që më lejonte të lëvizja pas dhe në krah”, deklaron Henry në një bisedë me Sergio Agueron.

 

Andres Iniesta dhe Thierry Henry

S’e mendoja kurrë largimin nga Arsenali, por ndodhi dhe shkova te Barcelona. Atje luhej një tjetër futboll. Kisha liri lëvizje tek Arsenali, ndërsa Rijkaard më kërkoi nëse mund të luaja në krahun e majtë. Më pas erdhi Guardiola. Pep është një trajner i mahnitshëm, por shumë kërkues.

Ai është shumë intensiv, është si të luash shah me të. Të duhet të bësh sprinte false për të tërhequr kundërshtarët me vete. E gjitha kjo për t’i krijuar hapësira numrit 10, sepse ne luanim me një qendërmesfushor dhe dy numra 10.

Vrapoja pafund për t’i dhënë mundësinë Iniestës të merrte topin dhe të avanconte. Fillova të kuptoj më mirë hapësirën dhe lëvizjen në hapësirë. Ishte një futboll ndryshe, m’u desh të përshtatesha dhe fituam gjithçka në vitin 2009 kur u mësuam me futbollin e Guardiolës. Vite të arta, por në zemrën time ka mbetur Arsenali”, thekson Henry. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!