Më e lehtë për individët të marrin një kredi

schedule07:15 - 22 Korrik, 2021

schedule 07:15 - 22 Korrik, 2021

Bankat lehtësuan standardet e kredisë konsumatore në tremujorin e dytë të vitit, duke ofruar interesa më të ulëta, shuma më të larta, ndërsa janë më fleksibël me kolateralin që duhet lënë peng për të marrë një hua.

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë me bankat tregtare, oferta në kredinë për individë ngelet e lartë dhe është lehtësuar më shumë për segmentin e kredisë konsumatore, ndërkohë që në kreditë për blerjen e banesave, standardet nuk ndryshuan nga një tremujor më parë. Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistemin bankar, por edhe prej perceptimit të bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit.

Bankat raportuan marzhe më të ulëta interesi në kreditë normale dhe marzhe disi më të larta për kreditë e perceptuara si me rrezik më të lartë. Kushtet joçmim, nga ana tjetër, u raportuan më të lehtësuara, në sajë të shtimit të madhësisë së kredisë, kërkesave më të ulëta për kolateral në raport me kredinë e marrë, si edhe zgjatjes së maturitetit maksimal të kredisë.

Sipas bankave, lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit për rrezik më të ulët, si edhe e një tolerance më të lartë të bankave kundrejt këtij rreziku nga një tremujor më parë. Në tremujorin e tretë të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.

Edhe kërkesa e individëve për kredi u perceptua dukshëm më e lartë në tremujorin e dytë të vitit, nxitur si nga kredia konsumatore, ashtu edhe ajo në blerjen e banesave. Sipas gjykimit të bankave, rritja e kërkesës për kredi nga individët i atribuohej nevojave më të larta për financimin e konsumit dhe blerjen e banesave, zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave, përmirësimit të besimit konsumator, si edhe nivelit të normave të interesit.

Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin që të vijojë shtimi i kërkesës për kredi nga ana e individëve, si për blerjen e banesave, ashtu edhe për financimin e konsumit.

Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për individë arriti vlerën e 207 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej afërsisht 9% krahasuar me një vit më parë. Rritja më e lartë është në segmentin e kredisë për blerje banesash, me 11%, ndërsa kredia konsumatore ka shënuar një rritje më të ngadaltë, me 5.2%. Kredia konsumatore i ndjeu më shumë pasojat e krizës, çka, sipas, Bankës së Shqipërisë, reflekton natyrën e saj prociklike, duke qenë se ky produkt mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij. Ndaj, ulja e konsumit u reflektua menjëherë në ecurinë e kredisë konsumatore. Në pjesën e dytë të vitit, kredia konsumatore iu kthye rritjes, duke ndjekur përmirësimin e ekonomisë reale pas hapjes së ekonomisë. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!