Gazetari i “ABC”-së në Durrës, Leonidha Musai ka zbardhur dëshminë e 26-vjeçarit Markeljan Beqiri që u arrestua në Tiranë për plagosjen e ndodhur më shumë se një muaj më parë në një hotel në autostradë.
I riu është shprehur se nuk ka pasur qëllim as të vrasë dhe as të plagosë Arni Sulejmanin. Ai tha se e ka të njohur dhe se gjatë qëndrimit në hotel se bashkë me dy shokët e tij dhe një vajzë, arma i ishte shkrepur pa dashje, aksidentalisht.
“Nuk kam pasur asnjë konflikt, madje njihemi prej kohësh, jemi shokë. Gjithçka ka ndodhur pa dashje. Kishim pirë dhe gabimisht arma u shkrep pa dashje. Më pas me kapi paniku, prandaj u largova” mësohet se është shprehur ai para grupit hetimor.
Por si ndodhi ngjarja?
Në datë 9 Dhjetor Markeljan Beqiri ishte në një dhomë hoteli së bashku me tre persona të tjerë, një vajzë dhe dy djem.
Në dhomë në momentin që ndodhi ngjarja ishin Arni Sulejmani, Markeljan Beqiri, Tefik Shehu dhe Anxhela Brisku. Por për shkaqe të paqarta, 26-vjeçari tentoi të vrasë me armë zjarri Arni Sulejmanin.
Markeljan Beqiri dhe Tefik Shehu u larguan nga dhoma e hotelit, ndërsa 20-vjeçarja fshehu armën e 26-vjeçarit, me të cilën ai tentoi të vrasë Arni Sulejmanin.
/ Abcnews.al

