Me covid, avokati rrëfen në “ABC” sorollatjen e ISHP: Askush s’u kujtua për testin dhe gjurmimin

schedule20:45 - 23 Nëntor, 2020

schedule 20:45 - 23 Nëntor, 2020

Avokati Dorian Matlija në një intervistë në Radarin Informativ në “ABC” mbrëmjen e sotme përballë gazetares Jonida Shehu tregoi eksperiencën e tij të sorollatjes nga shteti dhe që në fund përfundoi te privati për të bërë tamponin, ku rezultoi me koronavirus.

Në të njëjtën situatë, ai thotë se janë edhe dy të afërm të tij, që kanë disa ditë që kanë njoftuar dhe ende po presin ISHP-në. Avokati kërkon reagim më të fortë nga shteti përballë kësaj situate, pasi jo të gjithë kanë mundësi që të përballojnë analizat te privati, plus që pritja agravon gjendjen shëndetësore dhe rrezikon të tjerët.

Matlija thotë më tej, se shteti jo vetëm që nuk reagoi në kohë kur kërkoi që t’i bënin tamponin, po as nuk e pyeti për kontaktet që kishte pasur kohët e fundit përpara se të rezultonte pozitiv me koronavirus.

Intervista e plotë e avokatit Dorian Matlijas në “ABC”

Dori, uroj që të jesh mirë me shëndet..
Fillimisht rezultova pozitiv, por nuk kam bërë një test të dytë për të rezultuar negativ, tani protokolli mesa duket është se pasi ke kaluar disa ditë të konsiderojnë se je negativ pa bërë një tampon të dytë.

As testin e parë nuk ta ka realizuar ISHP-ja?
Unë fola me numrin 127, ata më drejtuan te numri tjetër 08004040, atje më drejtuan te mjeku i familjes, që kishte një vështirësi për ta gjetur dhe askush nuk u kujtua, pavarësisht se unë po thoja se kam simptoma dhe dua të bëj testin, nuk u bë një gjë e tillë, shkova te një laborator privat për të bërë testin dhe aty rezultova pozitiv ditën e nesërme. Që nga ky moment më bëri përshtypje, se jo vetëm unë, se po them se kam mundësi ekonomike ta paguaj një test te privati, por kam njerëz të fisit tim në këtë moment të infektuar, që disa prej tyre kanë edhe dy javë që presin nga ISHP-ja që të vijë të bëjë testin, janë me temperaturë dhe simptoma shumë të rënda në shtëpi, jo sikur isha unë me simptoma relativisht të lehta. Askush nuk erdhi apo të më pyeste, ku punoj, apo me cilët persona kam qenë në kontakt kohët e fundit.

Ti marrim gjërat hap pas hapi, të dhanë një shpjegim përse nuk erdhën që të bëjnë testin?
Jo, nuk më dhanë një shpjegim, kur fola me një mjek familje, por jo në rastin tim…

Përse nuk e gjete mjekun e familjes?
Sepse ka një problem edhe me transferimet e dosjeve, unë kam ndërruar banesë, e kam bërë aplikimin për të kaluar në lagjen përkatëse, por nuk është bërë veprimi, edhe pse kam një vit që e kam bërë. Një mjek familje më tha se është e kotë të presësh se do 5-6 ditë të vijnë për të bërë testin dhe sa ditë të marrësh përgjigjen. Shumicën e rasteve mund të vijnë pasi ke kaluar sëmundjen ose është përkeqësuar simptoma deri në atë pikë sa është e kotë të bësh testin.

Por si u mjekove?
Në fakt unë arrita të komunikoj me mjekun e familjes të lagjes sime edhe pse nuk isha i regjistruar, u tregua i gatshëm, por ishte qasja e tij personale. Ai më rekomandoi të mos merrja ilaçe të rënda, por të qëndroja në gatishmëri dhe të shikoja simptomat si do të shkonin dhe kam marrë vetëm hollues gjaku dhe vitamina.

Po me familjen tënde cfarë po ndodh?
Me një rast të afërm, janë dy persona që kanë temperaturë të lartë probleme me frymëmarrjen. Nuk kanë pasur mundësi që të bëjnë testin dhe mjeku i familjes i tyre ishte me covid dhe nuk kishte mjek tjetër zëvendësues dhe vetëm me mik u bë e mundur që të jepen këshilla përmes telefonit për të marrë kurën, por problemi i tyre është se nuk ka kush t’u blejë ilaçet dhe duhet të dalin vetë që të rrezikojë të tjerët.

Kur më thua me mik, jashtë sistemit shëndetësor, me mjekë të tjerë?
Patjetër, por edhe në këtë rast do të doja të thosha se mjekja në fjalë u tregua e gatshme për t’i ndihmuar, por nuk është pjesë e sistemit. Njerëzit po i zgjidhin me njerëzit që njohin dhe shteti nuk është prezent. Por jo të gjithë kanë mundësi të gjejnë zgjidhje me mik apo të ndihmojnë njëri tjetrin, apo testet te privati, që duhet të shoqërohen me analiza gjaku, që i sëmuri duhet që të dalë duke rrezikuar të tjerët.

Ju i kryet në privat të gjitha?
Po, së pari për arsye kohe, pasi është e rëndësishme që të reagosh shpejt për të bërë analizat e duhura, sepse sa më vonë i kap aq më keq bëhet, cështja kohore nuk  mund të lihej në dorë të burokracisë së shtetit aq më tepër në këto situata, shteti nuk është i aftë për t’ia dalë në të gjitha situatat.

Të hyn në punë të qenët avokat, kush do i mbrojë të drejtat e tua në këtë rast?
Këtu duhen reagime të shpejta dhe e ndenj veten të pafuqishëm si avokat.

A e ke menduar ta kërkosh të drejtën tënde?
Jo, dhe e shosh që aq më tepër kemi disa gjykata që janë problem për vete, qofshin sepse kanë edhe arsyet për shkak të covid, por edhe për arsye se po pakësohen gjyqtarët dhe nuk ia dalin sot. Sistemi është jo funksional për momentin.  Dhe aq më tepër, në situata të tilla, unë e them me humor, ne si avokatë duhet të mendojmë të gjejmë zanat tjetër të përkohshëm derisa gjërat të normalizohen.

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!