KORÇË- Publikohen pamjet e aksionit, i cili çoi në arrestimin e 43-vjeçarit, Ramadan Zoto në Korçë. Ai ishte shpallur në kërkim për një plagosje të dyfishtë në Sarandë, në korrik të këtij viti.
Sipas burimeve janë sekuestruar disa armë zjarri, ndërsa ka edhe persona të tjerë të shoqëruar.
Zoto është lokalizuar në zonën e Korçës ditën e sotme, teksa lëvizte me një makinë “Audi” dhe ndërhyrja ishte e befasishme, mes bashkëpunimit të tre sektorëve të policisë.
Sipas informacioneve, Zotos i është kapur edhe pistoletë me fishekë në fole me vete në momentet e arrestimit.
Arrestimi është kryer për llogari të DVP Vlorë ndërsa ndërhyrja është kryer nga Operacionalja e Policisë së Shtetit për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
Ramadan Zoto i njohur si “Dane”, plagosi me pistoletë Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç, të dy nga Kamza, pas një konflikti të mbartur.
Në momentin e arrestimit, Zoto ishte me Arben Ismailaj. Ky i fundit është lidhje e ngushtë shoqërore e tij pasi kanë qenë në burg bashkë në Greqi.
Kush është Ramadan Zoto dhe rrezikshmëria e tij
Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, rezulton i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”.
Konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë në Greqi ka shkëmbyer zjarr edhe me policinë greke disa vite më parë.
Në kërkim është shpallur edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vëllai tij.
Canaj në dhjetor 2022 ka dhunuar rojën e spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës disa muaj më parë./abcnews.al



