McConnell: Trump nxiti trazirat në Kapitol

schedule09:04 - 20 Janar, 2021

schedule 09:04 - 20 Janar, 2021

Udhëheqësi i shumicës republikane të senatit amerikan Mitch McConnell akuzoi  presidentin Donald Trump, për provokimin e trazirave të 6 janarit në Kapitol.

“Turma u ushqye me gënjeshtra. Ata u provokuan nga presidenti dhe njerëz të tjerë të fuqishëm,” tha McConnell në një fjalim në Senat.

Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën e kaluar ngriti për herë të dytë akuza në fillim të një procesi për shkarkimin e presidentit Trump. Senati ende nuk ka planifikuar datën e një gjyqi për të përcaktuar fajësinë ose jo të  Trump.

McConnell javën e kaluar tha se në gjyqin e Senatit ai do të dëgjonte argumentet e paraqitura përpara se të vendoste se si të votohej për akuzën e ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve: nxitjen e një rebelimi që rezultoi në rrethimin e Kapitolit.

Udhëheqësi i demokratëve të Senatit Chuck Schumer, i cili në ditët e ardhshme do të bëhet udhëheqës i shumicës së Senatit, tha në një fjalim në Senat se  Trump “është kërcënim për rendin tonë kushtetues pavarësisht nëse është në pushtet ose jo.”

Mandati i Trump si president përfundon të mërkurën kur Presidenti i zgjedhur Joe Biden të bëjë betimin. Schumer shtoi se nëse Trump shpallet fajtor, Senati do të votonte për ta ndaluar të kandidojë përsëri për president.

Mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin në 6 janar, duke e vonuar me disa orë procesin e certifikimit të fitores së Biden në zgjedhjet e nëntorit dhe duke i detyruar ligjvënësit të kërkonin mbrojtje. Sulmi rezultoi në vdekjen e pesë personave, përfshirë një oficer të policisë së Kapitolit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!