Pas kthesës së hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Greqi ku nëna u mbyt në sy të foshnjes, Babis Anagnostopoulos ndodhet pas hekurave pasi pritet të përballet me akuzat për dy krime.
Ai mbahet i vetëm në një qeli në katin e 7-të dhe është në gjendje të rëndë psikologjike. 32-vjeçari i kërkoi falje familjes së Caroline duke deklaruar se ajo ishte edhe familja e tij ndërsa shtoi se çdo gjë e bëri për foshnjën e tyre. Babis ka refuzuar të vizitohet nga një mjek psikiatër duke theksuar se është i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur.
“Falja është një fjalë e vogël. Jam i shkatërruar… Më intereson vetëm fëmija, kam fshehur të vërtetën vetëm që të jem në gjendje ta rris atë. Unë e meritoj ndëshkimin tim dhe refuzova të ekzaminohem nga një psikiatër. Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur”, tha Babis.
Lidhur me fatin e vajzës së tyre Lidia, e cila disa ditë më parë kishte ditëlindjen e saj të parë Babis u shpreh se do që vajza të qëndrojë me njërën nga familjet e tyre. “Unë dua edhe një gjë. Fëmija ynë, Lidia të shkojë ose në familjen time ose në familjen tjetër. Lidia është gjithë jeta ime. Grindjet që kishim me Caroline kishin të bënin vetëm me fëmijën tonë”, ka deklaruar ai.
32-vjeçari u kërkoi falje policëve për trillimin që kishte bërë për javë me radhë pasi tha se nuk donte të shkonte në burg dhe fëmija e tyre të mbetej vetëm. Ai përshkroi edhe veprimet që bëri pasi vrau të shoqen për ta bërë të dukej si një skenë grabitje. Me dorezat e motorit, ai hoqi kartën e regjistrimit të kamerave të sigurisë.
Më pas hoqi dritaren në bodrum për ta bërë të duket se grabitësit ishin larguar nga andej dhe më pas fshehu bizhuteritë e Caroline. Ndërsa në lidhje me 10 mijë eurot për të cilat u tha policëve se mungonin dhe dyshohet se ishin marrë nga grabitësit, u zbulua se ato nuk kishin qenë kurrë në banesën e çiftit. m.v/abcnews.al